Një stacion radiofonik në Britaninë e Madhe ka kërkuar ndjesë publike pasi transmetoi gabimisht lajmin se mbreti Charles III kishte ndërruar jetë.
Bëhet fjalë për Radio Caroline, me seli në Essex, e cila sqaroi në rrjetet sociale se incidenti ndodhi për shkak të një defekti kompjuterik në studion qendrore.
Sipas menaxherit të radios, Peter Moore, sistemi aktivizoi pa dashje protokollin që mediat britanike mbajnë të gatshëm për rastet e vdekjes së një monarku.
“Për shkak të një problemi teknik në studion kryesore, u aktivizua aksidentalisht procedura për njoftimin e vdekjes së monarkut, duke bërë që të transmetohej gabimisht lajmi se Madhëria e Tij, mbreti, kishte ndërruar jetë”, shkroi Moore në Facebook.
Pas transmetimit të njoftimit, radioja ndërpreu programacionin, sipas procedurës zyrtare. Kjo shkaktoi alarm te stafi, i cili riktheu menjëherë transmetimet normale dhe publikoi një kërkimfalje për dëgjuesit.
Stacioni radiofonik u kërkoi ndjesë si mbretit Charles III, ashtu edhe publikut për shqetësimin dhe konfuzionin e krijuar.
Lini një Përgjigje