
Një përleshje e fortë verbale dhe fizike ka ndodhur në një qendër votimi në Zhegër të Gjilanit.
Ngjarja është shënuar në shkollën “Agim Ramadani” ndërkohë që në vendngjarje ka mbërritur policia për të qetësuar situatën.
Rrahman Agushi, menaxheri i kësaj qendre të votimit, nuk dha arsyet e kësaj përplasjeve por tha për mediat se situata u menaxhua mirë dhe i është rikthyer normalitetit.
Ditën e sotme në zgjedhje marrin pjesë 22 subjekte politike, 18 janë parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Partitë kryesore që garojnë janë Lëvizja Vetëvendosje, VV, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nga radhët e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.Qendrat e votimit janë hapur tashmë që prej orës 07:00 për tu mbyllur në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtë vote, në këto zgjedhje sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues. Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime.
Lini një Përgjigje