TAGS-AT E JAVËS

Kosova28 Dhjetor 2025, 07:29

Kosova në zgjedhje të parakohshme, 2 milionë qytetarë votojnë sot për t’i dhënë fund ngërçit politik

Shkruar nga Pamfleti

Në zgjedhjet e sotme marrin pjesë 22 subjekte politike, 18 janë parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Të drejtë vote, në këto zgjedhje sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues.

Kosova në zgjedhje të parakohshme, 2 milionë qytetarë
Një person kalon pranë një posteri të kryeministrit në largim Albin Kurti në Prishtinë, 23 dhjetor 2025 © Armend NIMANI / AFP

Këtë të dielë të 28 dhjetorit, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë për herë të katërt brenda vitit.

Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe do të mbyllet me votimin e 28 dhjetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shtunën në mëngjes ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi ka treguar për hapat e fundit që KQZ është duke ndërmarrë para fillimit të votimit, të dielën, në orën 07:00 të mëngjesit.

“Sipas planifikimeve, materialet zgjedhore që janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit do të shpërndahen, si zakonisht, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës për në qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, njoftoi Elezi.

Kush janë subjektet politike që garojnë dhe masat e sigurisë? 
Sipas KQZ-së, për zgjedhjet e 28 dhjetorit garojnë 22 subjekte politike, prej tyre janë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndër partitë kryesore që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosje, VV, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nga radhët e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth 67 për qind janë burra, ndërkaq rreth 33 për qind janë gra. Qendrat e votimit ditën e dielë hapen nga ora shtatë e mëngjesit dhe mbyllen në 19-të të mbrëmjes.

Të drejtë vote, në këto zgjedhje sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues. Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime. Qendra votimi ka edhe jashtë Kosovës, ku votimi fizik organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të botës. Mbi 84 mijë qytetarë jashtë Kosovës kanë aplikuar për votim dhe nga to 76 mijë aplikime janë miratuar, që përfshijnë votimin me postë dhe votimin fizik në ambasada dhe konsullata të Kosovës.

Për të garantuar një proces të drejtë votimi pa probleme, janë të angazhuar qindra forca policore, ndërsa rreth 100 prokurorë janë angazhuar për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e së dielës. Zyra e Prokurorit të Shtetit njofton se qëllimi kryesor i angazhimit të 100 prokurorëve është “mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor”.

Policia e Kosovës nga ana e saj thekson, se “në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, me qëllim të garantimit të ushtrimit të lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët”

Zgjedhjet në Kosovë, rreth 100 prokurorë të angazhuar në mbrojtje të votës

Në zgjedhjet e sotme parlamentare janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në mbarë vendin.

Kjo është bërë e ditur të premten nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ata do të kujdestarojnë deri në përfundim të procesit zgjedhor,  me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.

Prokurori i Shtetit i ka ftuar qytetarët, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

qytetaret e kosoves zgjedhjet e parakohshme parlamentare votojne

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    VOTONI ALBIN KURTIN. VOTA PER ALBIN KURTIN ESHTE VOTE PER STABILITETIN DHE ARDHMERINE E KOSOVES.

    Lini një Përgjigje