TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Dhjetor 2025, 22:25

Zgjedhjet e së dielës në Kosovë, shans për stabilitet apo stacion i radhës drejt një krize të re?

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Zgjedhjet e së dielës në Kosovë, shans për stabilitet
Zgjedhjet në Kosovë

Kosova shkon në zgjedhje për herë të dytë brenda një viti, por pa garanci që rezultati do sjellë qeveri të qëndrueshme; prilli sjell sfidën e re: zgjedhjen e presidentit!

Nesër në mëngjes, qytetarët e Kosovës do të rikthehen në kutitë e votimit për të zgjedhur 120 anëtarët e Kuvendit të ri. Këto janë zgjedhjet e dyta të përgjithshme brenda vitit 2025, pas atyre të shkurtit që përfunduan pa një fitues të qartë dhe çuan vendin në një krizë të zgjatur politike.

Për gati një vit, Kosova është qeverisur nga një ekzekutiv i përkohshëm, i drejtuar nga Albin Kurti, i cili përballë mungesës së një shumice të qartë, është detyruar të manovrojë përmes kompromisesh, duke shtyrë vendime të rëndësishme dhe duke mbajtur institucionet në funksion minimal. Mosmarrëveshjet e brendshme, përplasjet për postin e kryetarit të parlamentit dhe mungesa e bashkëpunimit ndërpartiak, e kanë shndërruar vitin 2025 në më të paqëndrueshmin politikisht që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Edhe pse zyrtarisht synojnë krijimin e një qeverie funksionale, zgjedhjet e së dielës nuk pritet të jenë zgjidhje përfundimtare për krizën. Sondazhet dhe vlerësimet e analistëve sugjerojnë se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit do të dalë sërish partia e parë, por jo me shumicë absolute për të qeverisur e vetme. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV mori 42.3% të votave dhe 48 mandate; këtë herë mund të rrisë numrin e votave, veçanërisht falë mobilizimit të diasporës, me rreth 300 mijë qytetarë që kanë mbërritur në Kosovë gjatë festave, shumica e të cilëve priren të mbështesin Kurtin.

Por edhe me këtë përkrahje, shifra 61, që garanton shumicën parlamentare, mbetet një objektiv i largët. Kjo e kthen sërish Kurtin në varësi të koalicioneve, çka në kontekstin aktual politik është një mision i vështirë, për të mos thënë i pamundur.

Në vendin e dytë pritet të renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e udhëhequr nga Bedri Hamza – një figurë me profil të lartë profesional dhe lidhje të mira me faktorin ndërkombëtar. Hamza është pozicionuar si një alternativë pro-perëndimore, duke e kritikuar Kurtin për tensionet me SHBA-në dhe për dështimin në dialogun me serbët e veriut.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia historike e Kosovës, me në krye Lumir Abdixhikun, pritet të ruajë vendin e tretë dhe mund të luajë rol vendimtar në negociatat për koalicion. Abdixhiku ka ndërtuar profilin e një force moderne, të moderuar, me fokus në ekonominë dhe sundimin e ligjit, dhe mund të jetë ndërmjetësi i munguar mes palëve.

Por ndarja klasike në kampe dhe mospajtimi me Kurtin si figurë dominuese politike, mbeten pengesë për një qeveri të qëndrueshme.

Një tjetër hallkë kyçe në këtë cikël krizash është zgjedhja e Presidentit të Kosovës, e cila duhet të ndodhë në muajin prill 2026. Kushtetuta kërkon shumicë në Kuvend për ta zgjedhur, gjë që e bën pothuajse të pamundur pa një marrëveshje të gjerë mes partive.

Nëse pas zgjedhjeve nuk arrihet jo vetëm formimi i një qeverie, por edhe zgjedhja e kreut të shtetit, atëherë Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të tretë zgjedhor, ndoshta në verë, çka do e kthente vitin 2026 në një tjetër sezon krizash politike dhe institucionale.

Faktori ndërkombëtar, veçanërisht SHBA dhe BE, është gjithnjë e më kritik ndaj polarizimit politik në Kosovë. Prania e fundit e zyrtarëve të FBI-së dhe DEA-s amerikane në Tiranë e Prishtinë, si dhe mesazhet e qarta nga DASH për “non-gratat”, janë lexuar si sinjal që Uashingtoni nuk do të tolerojë më bllokim institucional.

Zgjedhjet e nesërme janë më shumë një përpjekje për të rifituar kontrollin e sistemit, sesa një zgjidhje automatike për krizën. Në mungesë të një marrëveshjeje të gjerë politike, rreziku që Kosova të mbetet sërish pa qeveri funksionale dhe të shkojë në zgjedhje të tjera në prill ose verë është shumë real.

Nëse pas 28 dhjetorit nuk lind një shumicë parlamentare që e merr seriozisht stabilitetin institucional, Kosova rrezikon të kthehet në një republikë të bllokimeve të përhershme, një luks që një shtet i brishtë, në tension të vazhdueshëm me Serbinë dhe nën vëzhgim të ngushtë ndërkombëtar, nuk mund ta përballojë. /Pamfleti

kosova zgjedhje krize

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Shans për stabilitet. E kanë në dorë, votuesit kosovarë. Të votojnë numrin 116. Voto Albin Kurtin.

    Lini një Përgjigje