Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se pas liberalizimit të vizave vendimi i Komitetit të Ministrave e afron Kosovën më shumë me familjen evropiane.
Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Twitter, Rohde ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit duke përfshirë edhe implementimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, pasi sipas tij është vendimtar për të ecur përpara.
“Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asociacionin është vendimtar për të ecur përpara. Pas vendimit të javës së kaluar për vizat, votimi i sotëm i #CoE për ta përcjellë aplikacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare e sjell vendin sërish më pranë familjes europiane. Gjermania dha mbështetje të plotë në këtë hap”, shkruan Rohde.
Kujtojmë se Kosova ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Komiteti i Ministrave e kaloi çështjen te Asambleja e Përgjithshme ku dhe do të bëhet më pas votimi final, duke përmbyllur një hap shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës në institucionet kombëtare.
Asambleja Parlamentare do të diskutojë dhe votojë në një takim të radhës për një raport të cilin do ta përgatisë vetë. Raporti mund të shqyrtohet në qershor ose tetor. Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022.
Lini një Përgjigje