TAGS-AT E JAVËS

Kosova24 Prill 2023, 13:43

SHBA vihet në lëvizje për Asociacionin: Dialogut Kosovë-Serbi i nevojitet një vrull i ri

Shkruar nga Pamfleti
SHBA vihet në lëvizje për Asociacionin: Dialogut
Ambasadori SHBA në Beograd, Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë një vrull të ri.

Sipas tij kjo gjë duhet të ndodhë tani.

“Jam i kënaqur që ata po planifikojnë të takohen më 2 maj. Është e qartë se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Shpresoj që do të pasojë përparimi i plotë dhe i qëndrueshëm në dialog”, tha Hill në një deklaratë për mediat pas një takimi të Odës Ekonomike amerikane në Serbi.

Ai shtoi se pret që çështja e Asociacionit të jetë në agjendën e takimit të ardhshëm të përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

“Ka disa arsye për këtë. Së pari, populli serb duhet të kuptojë se duhet të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, që i kanë arritur njerëz seriozë në bashkësinë ndërkombëtare.

Arsyeja e dytë është se komuniteti serb në Kosovë duhet të kuptojë më mirë se cila është e ardhmja e tyre dhe këtë sigurisht do ta sigurojë Asociacioni”, theksoi Hill.

Në pyetjen e gazetarëve nëse SHBA-ja është e kënaqur me hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Asociacionit, Hill tha se më shumë për këtë do të dihet kur Asociacioni i komunave të jetë në agjendën e dialogut.

“E përsëris, kjo është një temë që vazhdon prej 10 vjetësh dhe duhet të trajtohet dhe zbatohet”, tha Hill.

Ju rikujtojmë gjithashtu se i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ai pret që të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 2 maj, kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

“Shpresoj që deri më 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.

Ai tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit Albin Kurti, për të pranuar këtë detyrim ligjor.

dialogo kosovë-serbi hill beograd

Lini një Përgjigje