
Për të arritur një zgjidhje të konfliktit në veri dy ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi do të zbarkojnë ditën e sotme në Beograd.
I dërguari i SHBA-së, Gabriel Escoabr dhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë një takim ‘kokë më kokë’ me Vuçiç, në fokus të së cilit do të jetë tensionet në veri dhe marrëveshja e nënshkruar në Ohër mes dy palëve.
Një ditë më pas, të martën Escobar dhe Lajçak do të mbërrijnë në Prishtinë dhe do të priten nga kryeministri Albin Kurti.
Situata në veri të Kosovës është ende e brishtë, prej 29 majit serbët vijojnë protestat para ndërtesave komunale, ku kryetarët e rinj të zgjedhur u futën me ndihmën e policisë në zyra, çka solli edhe reagimin e serbëve. Një ditë më parë situata u paraqit e qetë në komunat në veri, me një numër të paktë protestuesish.
Pavarësisht reduktimit të tensioneve, retorika e dy palëve në Kosovë e Serbi vijon të jetë e ashpër. Në një intervistë për BBC mëngjesin e së dielës, Albin Kurti paralajmëroi se nuk do të tërhiqet dhe se krerët e 3 komunave duhet të qëndrojnë në zyrat e tyre dhe se nuk mund të bëhet kompromis me republikën demokratike. I dërguari i SHBA Gabriel Escobar i bëri një tjetër thirrje Kurtit për të gjetur zgjidhje për veriun.
Lini një Përgjigje