
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla nuk është lejuar të futet në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në një deklaratë për mediat, ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës njoftoi se Serbia ka ndaluar vizitën e ministrit Sveçla.
Serbia nuk ka lejuar vizitën e Sveçlës me arsyetimin se ministri ka mbajtur qëndrime kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit.
Përveç Sveçlës, në njoftimin e MPJD-së bëhet me dije se edhe ministrave tjerë i është ndaluar vizitë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
“Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, më datën 23 dhe 24 dhjetor 2024 ka paralajmëruar vizitë zyrtare njëditore në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.
Përkundër faktit që janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi sipas Marrëveshjes së Brukselit për Vizita Zyrtare, Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite. Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit.
Veprime të tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Republikën e Kosovës në shkallë të lartë. Janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Serbia i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Lini një Përgjigje