
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në 29 nëntor. Ai tha se Millan Radoiçiç është përgjegjës i sulmit ndërsa Serbia është ajo që e ka financuar dhe planifikuar.
Në një konferencë për mediat, Kurti tha se këto deklarata i bazon në të dhënat e inteligjencës. Sipas tij, përkrahja që i ofron Beogradi zyrtar, atij që e ka quajtur grup terrorist të Millan Radoiçiçit, nuk mund të quhet ndryshe, pos koordinim i shtetit serb me këtë grup për të intensifikuar luftën hibride kundër Kosovës.
“Sulmi i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste, dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se akte të tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion, dhe faktin se Millan Radoiçiç përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë”, tha Kurti.
Kurt u shpreh gjithashtu se grupi i Radoiçiç e ka të pamundur të kryejë atë akt terrorist pa pasur mbështetjen e Serbisë.
Kanali i Ibër-Lepencit u sulmua më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit. Policia e Kosovës njoftoi se sulmi u krye me lëndë plasëse deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Kujtojmë se Millan Radoiçiç është në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ka pranuar organizimin dhe kryerjen e sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023. Si pasojë e këtij sulmi, që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ndërkohë, Serbia ka hedhur poshtë këto akuza.
Lini një Përgjigje