
Ish-ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi tha se sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës është një “shfaqje e shëmtuar që ka lënë shije të hidhur kudo në botë”.
Sipas tij, histori të tilla duhet të marrin fund dhe përgjegjësit duhet të vendosen para drejtësisë. Një shpërthim më 29 nëntor dëmtoi kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, në veri Kosovës.
“Janë një faqe e errët, janë histori që duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë, sepse kemi të bëjmë jo thjesht me cenim të marrëdhënieve që komuniteti ndërkombëtar mundohet të krijojë midis Kosovës dhe Serbisë, por kanë të bëjnë me gjëra më vitale të njeriut, siç janë uji, drita e me radhë. Është një shfaqje shumë e shëmtuar e cila ka lënë shije shumë të hidhur jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, po kudo në botë”, shprehet Minxhozi.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë foli edhe për marrëdhëniet zyrtare Prishtinë-Tiranë për të cilat vlerëson se kanë vend për përmirësim.
Kosova dhe Shqipëria kanë mbajtur javën e kaluar mbledhjen e përbashkët parlamentare ku është theksuar rëndësia e bashkëpunimit në rrugën evropiane.
Minxhozi thotë se Shqipëria duhet ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj euro-atlantike dhe se Kosova duhet të jetë sa më parë anëtare e NATO-s.
“Po nuk mbështetëm Kosovën, ne nuk kemi mbështetur veten tonë. Kosova dhe Shqipëria janë një dhe Kosova në NATO sa më parë do jetë një kënaqësi shumë e madhe, jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë hapësirën shqiptare kudo në botë”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje