Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pretendon se nuk mbështet asnjë palë në konfliktin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, por vlerëson se bëhet fjalë për përpjekje për marrjen e pushtetit në Teheran.
Ai e krahasoi operacionin ushtarak me bombardimin e Jugosllavisë nga NATO-ja në vitin 1999 dhe me përmbysjen e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Serbi, gjë që e çoi këtë vend në izolim ndërkombëtar.
Sipas Vuçiqit, edhe atëherë qëllimi ishte ndryshimi i regjimit në Serbi dhe arritja e pavarësisë së Kosovës.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar këto deklarata.
Çfarë paralelesh tërhoqi Vuçiç?
Në fillim të operacionit SHBA-Izrael kundër Iranit, presidenti serb, Vuçiq, vlerësoi se gjithçka po ndodhte “sikurse në Serbi”.
“Na gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për një katastrofë humanitare”, tha Vuçiq për Televizionin Informer më 28 shkurt.
Sipas tij, qëllimi i bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë në vitin 1999 ishte ndryshimi i regjimit në Beograd dhe arritja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ashtu siç është tani “marrja e pushtetit në Iran” dhe “kthimi i vendit kah vlerat perëndimore”.
“Ata do ta shkatërrojnë plotësisht Khamenein dhe pastaj do të bëjnë një llogaritje ekonomike që do t’i sjellë dobi fuqisë më të madhe në botë. Në këtë mënyrë, Trump arrin qëllimet e tij”, deklaroi Vuçiq.
Marko Savkoviq, nga Qendra joqeveritare për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC) në Beograd, vlerëson se, aktualisht, qëndrimet e Beogradit dhe të Uashingtonit janë mjaft larg njëri-tjetrit.
“Nuk ka asnjë proces që mund t’i afrojë. Sigurisht që nuk është Kosova, nuk është Bosnja dhe asgjë që po ndodh në rajon”, thotë Savkoviq.
Ai vëren se “interesat amerikane janë qartazi diku tjetër”.
“Ndoshta Beogradi mund të presë pak dhe të ndjekë politikën e Bashkimit Evropian për një kohë”, shton Savkoviq.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën më 28 shkurt sulmet ndaj Iranit, i cili u kundërpërgjigj duke goditur bazat ushtarake amerikane në vendet fqinje të Gjirit Persik.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se e ka urdhëruar operacionin për ta penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Ai tha se qëllim është edhe ndalimi i programit iranian të raketave balistike dhe ndërprerja e dhunës ndaj protestuesve kundër qeverisë, mijëra prej të cilëve u vranë javëve të fundit nga reagimi brutal i autoriteteve.
Në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit u vranë edhe udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, dhe shumë zyrtarë të tjerë të sigurisë, ushtarakë dhe politikë.
Marrëdhëniet e Serbisë me Iranin
Beogradi zyrtar ka marrëdhënie miqësore me Iranin dhe vendet e tjera të përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme, kryesisht me Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Serbia është gjithmonë kundër sulmeve ndaj objektivave civile, pavarësisht se nga cila anë vijnë dhe pavarësisht se kush është viktimë”, tha ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, më 5 mars.
Ai, më herët, dënoi edhe sulmet e Iranit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Gjirit: Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarit, Bahrejnit, Kuvajtit dhe Arabisë Saudite.
Në bisedat telefonike me udhëheqësit e diplomacive të këtyre vendeve, ai deklaroi se sulmet e tilla minojnë stabilitetin rajonal dhe kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare.
Në paraqitjet në media, Gjuriq tha se Serbia duhet të qëndrojë pranë partnerëve të saj në parim, pa hyrë në analiza më të gjera të konfliktit.
Ndër vite janë përmendur shumë emra si pasardhës të mundshëm të Khameneit, por aktualisht tre kandidatë konsiderohen favoritë kryesorë: Mojtaba Khamenei, Alireza Arafi dhe Hassan Khomeini.
Irani mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Ndryshe nga bashkëpunimi politik, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është më modest./ REL
Lini një Përgjigje