Ministri i Mbrojtjes flet për industrinë e mbrojtjes, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe aktivitetet për Epopenë e UÇK-së
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se kërcënimet e ish-drejtorit të shërbimit sekret serb, Aleksandër Vulin, nuk e frikësojnë Kosovën. Ai tha se institucionet e vendit po përqendrohen në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe në mbrojtjen e territorit dhe qytetarëve.
“Kemi ndërtuar kapacitetet tona dhe kemi forcuar mbrojtjen e Kosovës, duke synuar të mbrojmë territorin e vendit dhe jetët e qytetarëve. Në asnjë rast nuk përfshihemi në veprime sulmuese, por fokusohemi në modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse”, tha ai.
Në një intervistë për RTK, Maqedonci theksoi se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një domosdoshmëri dhe se institucionet kanë ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.
“Kemi nënshkruar një kontratë për fabrikën e municionit vitin e kaluar, si vjet do të kemi fillimi ndërtim në fabrikës, tashmë makineria për prodhim në municioneve është duke u prodhuar në Republikën e Turqisë. Ne shpresojmë bazuar në kontratën që deri në fund të këtij viti të fillojmë prodhimin e municioneve të para në Republikën e Kosovës, kurse po ashtu jemi duke punuar me partnerët tanë amerikan, gjermanë, por edhe vendet të tjera që të fillojmë bashkëprodhim me në Republikën e Kosovës. Në këtë aspekt, ne gjithashtu kemi dhënë në shqyrtim në industrinë e mbrojtjes mund të themi një zonë, një hapësirë në Gjakovë janë 133 hektarë tokë që qeveria i ka dedikuar për industrinë e mbrojtjes që do të vendosim kompleksin që do të funksionalizohet deri në fund të këtij viti”, tha ai.
Ministri foli edhe për projektligjin që rregullon industrinë e mbrojtjes, i cili pritet të procedohet në Qeveri dhe më pas në Kuvend.
“Ne kemi pasur dy grupe që kanë punuar për draftimin e ligjit për industrinë e mbrojtjes: një grup nga Ministria e Industrisë dhe një grup tjetër nga Ministria e Mbrojtjes, që kanë punuar bashkërisht në draftimin e ligjit për industrinë e mbrojtjes. Kemi pasur takim edhe me ministren Kusari dhe jemi dakorduar që ta shtyjmë përpara këtë proces. Pra tashmë draftligji ka kaluar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ne do ta paraqesim në Qeverinë e Kosovës, që pastaj normalisht të kalojë në Parlament për t’u miratuar nga deputetët tanë”, u shpreh ai.
Ai sqaroi se ligji synon të përcaktojë rolet e institucioneve në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përfshirë procesin e licencimit dhe mbështetjen për këtë sektor.
Maqedonci tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është e hapur për të gjitha komunitetet në vend dhe se çdo qytetar ka të drejtë të jetë pjesë e saj. “Ne jemi të hapur dhe kemi qenë të tillë ndaj të gjitha komuniteteve”, tha ai.
Sa i përket bashkëpunimit me KFOR-in, ai theksoi se komunikimi vazhdon në mënyrë të rregullt.
“Normalisht, KFOR-i ka kufizimet e veta në aspektin e misionit në raport me njohjen e disa prej institucioneve, duke përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes me mandatin pas vitit 2018. Pra ka kufizime se sa thellë bashkëpunon me ne, mirëpo ne e respektojmë këtë kufizim të tyre duke pasur parasysh që KFOR-i është një mision i NATO-s që është këtu bazuar në Rezolutën 1244”, u shpreh ai.
Ministri tha se Rezoluta 1244 nuk ka më të njëjtën relevancë si më parë, duke marrë parasysh zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë.
“Por ndryshimi i saj mund të bëhet vetëm me konsensusin e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ku ka vende që përveç se nuk e njohin Republikën e Kosovës, janë edhe kundër pavarësisë dhe mbështesin Serbinë. Mirëpo, ne kemi tentuar gjatë gjithë kësaj kohe që, brenda këtyre kufizimeve që ka KFOR-i në raport me Kosovën e institucionet tona, të gjejmë hapësira ku do të bashkëpunojmë. Përveç tjerash, ne bëjmë edhe ushtrime të përbashkëta me KFOR-in”, tha ai.
Maqedonci kujtoi se datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë një moment vendimtar në historinë e luftës në Kosovë.
“Ishte pikërisht sakrifica e Familjes Jashari elementi kyç që ndikoi në zgjerimin dhe rritjen e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por edhe në zgjerimin e kryengritjes në gjithë territorin e Kosovës në atë periudhë”, tha ai.
Ai bëri të ditur se në kuadër të përkujtimit të Epopesë së UÇK-së organizohen aktivitete të ndryshme, përfshirë homazhe në Prekaz, ekspozitë në Kuvendin e Kosovës dhe akademi përkujtimore në Pallatin e Rinisë.
Ministri shtoi gjithashtu se këtë vit institucionet kanë standardizuar narrativën për shpjegimin e Epopesë së UÇK-së në shkollat e Kosovës.
“E veçanta këtë vit është se për herë të parë kemi standardizuar narrativën për shpjegimin e Epopesë së UÇK-së nga mësimdhënësit. Pra, ua kemi dërguar në Ministrinë e Arsimit një narrativë që e kemi përgatitur bashkë me historianë në Republikën e Kosovës, me qëllim që në të gjitha shkollat të ndahet informacioni i njëjtë në lidhje me Epopenë dhe rezistencën e armatosur të familjes Jashari”, tha Maqedonci.
Lini një Përgjigje