
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje për zhvillimet e fundit politike në vend, pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.
Ditën e sotme, Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, më 5 mars 2026, 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj më 4 prill.
Ky vendim vjen pas dështimit të seancës parlamentare të enjten mbrëma, ku nuk u sigurua kuorumi i nevojshëm (80 deputetë) për të votuar kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Opozita nuk bashkëpunoi për zgjedhjen e presidentit.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, kundërshtoi ashpër dekretin e Osmanit dhe paralajmëroi se do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, duke pretenduar se procesi nuk ka përfunduar plotësisht dhe se mund të nevojitet një seancë e tretë.
“Po i vëzhgojmë me keqardhje zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Tani po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhej në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian.
Kjo krizë politike vjen në një moment delikat për Kosovën, që tashmë ka kaluar zgjedhje të parakohshme në dhjetor 2025 pas një bllokimi të gjatë institucional. Shpërndarja e Kuvendit hap rrugën për zgjedhje të reja të përgjithshme, potencialisht të tretat brenda pak më shumë se një viti, me datën që pritet të shpallet pas konsultimeve të Presidentes me partitë politike.
Bashkimi Evropian, si mbështetës kryesor i procesit të integrimit evropian të Kosovës, ka shprehur shqetësim se kriza e vazhdueshme institucionale mund të pengojë reformat, dialogun me Serbinë dhe përparimin drejt anëtarësimit në BE.
Lini një Përgjigje