TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Shkurt 2023, 17:35

Nis takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, a do të arrihet konsensusi për planin franko-gjerman?

Shkruar nga Pamfleti

Nis takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, a do të arrihet

Fillimisht Kurti e Vuçiç patën takime të ndara me Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, ndërsa tani janë ulur të katërt përballë njëri-tjetrit...

Nis takimi i shumëpritur mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç në Bruksel. Pas shumë vitesh përplasjesh, tensionesh dhe mungese dialogu, SHBA dhe BE duket se kanë hedhur një hap drejt gjetjes së marrëveshjes finale.

Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksadar Vuçiç u është vënë përpara plani franko-gjerman. Të dy e kanë pranuar parimisht, ndërsa tani ka ardhur koha të tregojnë nëse e mbështesin vërtet.

Fillimisht Kurti e Vuçiç patën takime të ndara me Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, ndërsa tani janë ulur të katërt përballë njëri-tjetrit. I gjithë diskutimi do të jetë mbi planin e paqes të BE dhe parashikohet një natë e gjatë diskutimesh. SHBA e BE e shohin planin si një bazë të mirë për të arritur te njohja reciproke. Tani e kanë në dorë dy liderët.

Para takimit në Bruksel, Vuçiç tha se nuk do të ketë ‘kapitullim e as kthim në vitet e ’90-të. Por nga ana tjetër ai ka dhënë sinjale të vazhdueshme se po shkon drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës. Vuçiç kërkoi disa herë që të mos cilësohej tradhtar.

“I kemi bërë përgatitjet e fundit. Dua të falënderoj ato pjesë në Serbi që kanë besim në udhëheqësit e saj dhe të cilët vlerësojnë se do të bëjmë më të mirë për vendin tonë. Ndërsa atyre që na sulmojnë se do të nënshkruajmë diçka, sepse kështu do të jemi tradhtarët, unë mund tu them se nuk kanë nevojë të brengosen. Nuk do të ketë kapitullim, nuk do të ketë kthim në të 90-at”, ka deklaruar Vuçiç.

Ndërkohë sot në Bruksel ka shkuar edhe i dërguari i DASH, Gabriel Escobar për të ndjekur nga afër bisedimet. SHBA përveç planit franko-gjerman, këmbëngul te Asociacioni i komunave serbe.

“Procesi i Brukselit nuk i kënaq njerëzit të cilët presin menjëherë finalizim. Besoj se do të ketë përparim, sepse ka shkuar gjatë pa lëvizje para. Tash po punohet që të ketë marrëveshje. Nga perspektiva amerikane vlerësoj se është më rëndësi që sa amë parë të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Përfaqësuesi jonë Gabriel Escobar është në Bruksel sot, kështu që jemi të pranishëm. Dua të them që SHBA e Evropa kanë një bashkëpunim të ngushtë në këtë temë", tha sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill .

Mësohet se në Bruksel, Kurti e Vuçiç kanë pasur takime të ndara edhe me Escobar. Pra duket se BE e SHBA kërkojnë që takimi sot të mos mbyllet pa rezultat.

kurti vucici takim

Lini një Përgjigje