
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të enjten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Në një mbledhje pasditen e së enjtes në Prishtinë, KQZ-ja e miratoi certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve me 9 vota për dhe 2 kundër.
Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e zgjedhjeve në këtë kohë, pasi partia e tyre ka kërkuar anulimin e votave me postë dhe rivotim me postë, pavarësisht se Gjykata Supreme e rrëzoi kërkesën e saj.
“Ne do t’i ndjekim rrugët ligjore dhe do ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese për masë të përkohshme për moszbatimin e kësaj pjese të votave, prandaj... deri sa të përfundojnë të gjitha rrugët ligjore nuk mund ta votojë certifikimin e rezultateve”, tha Kurteshi.
LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me 42.30 për qind të votave, duke i lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 20.95 për qind dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 18.27 për qind. Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26 për qind të votave.
Tre kryetarë komunash - përfshirë kandidatin e PDK-së për kryeministër në këto zgjedhje Bedri Hamza - hoqën dorë nga mandati i deputetit, sepse, sipas ligjeve dhe Kushtetutës, nuk kanë të drejtë t’i mbajë dy pozita zyrtare.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe do të zëvendësohet nga Arben Gashi. Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti do të zëvendësohet nga Paris Guri, ndërsa kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, do të zëvendësohet nga Rashit Qalaj.
Pas certifikimit të rezultateve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se deri në zgjedhjen e Qeverisë së re "Qeveria jonë do t'i ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi".
"Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve", tha ai.
Sipas nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeverisë aktuale i kufizohen kompetencat. Në këtë nen thuhet se Qeveria nuk ka të drejtë të miratojë nisma apo të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat kërkohet ratifikimi i Kuvendit, nuk mund të miratojë ligje, strategji e koncept-dokumente, nuk mund të propozojë kandidatë për poste të caktuara, e as të emërojë njerëz në pozita publike.
Procedurat për formimin e institucioneve të reja janë të parapara në Kushtetutë dhe ligje të tjera, siç shpjegon teksti në vijim.
Lini një Përgjigje