Opozita vijon bojkotin, seanca shtyhet në orën 23.00...
Kosova duket se është shumë pranë zgjedhjeve të reja parlamentare. Papërgjegjshmëria politike po e zhyt në krizë shtetin më të ri në Europë, krizë nga e cila nuk dihet se kur do të dilet.
Sot është afati i fundit për të zgjedhur presidentin dhe sinjalet janë të qarta se nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Seanca e thirru në mëngjes u shty për në orën 14.00, më pas u shty në orën 19.00, por sërish ka dështuar.
Opozita nuk mori pjesë dhe kryetarja e Kuvendit e shtyu procesin në orën 23.00. Ligji parashikon qartë se duhet të jenë prezentë së paku 80 deputetë që të quhet i ligjshëm votimi. Mirëpo të gjitha partitë opozitare kanë refuzuar pjesëmarrjen duke bërë që procesi të shkojë drejt dështimi. Nëse sot deri në mesnatë nuk zgjidhet presidenti, Kosova shkon në zgjedhje të reja.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të qartë qëndrimin e forcës që drejton, duke e cilësuar procesin si të njëanshëm dhe pa dobi për vendin. Ai e përshkroi seancën si një “show njëpartiak”, duke theksuar se LDK nuk do të bëhet pjesë e një procesi që, sipas tij, nuk garanton zgjidhje dhe nuk i shërben interesit publik.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se partia e tij është lënë jashtë çdo përpjekjeje për arritjen e një marrëveshjeje. Sipas tij, mungesa e konsultimeve dhe e dakordësisë politike e bën të pamundur pjesëmarrjen në një proces të tillë, ndërsa paralajmëroi për rreziqet që sjell vijimi i procedurave pa kuorum.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të institucioneve. Ai e cilësoi bojkotin si sjellje anti-institucionale dhe si një përpjekje për të mos njohur rezultatin zgjedhor. Kurti theksoi se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, duke argumentuar se një proces i tillë do të sillte kosto financiare dhe do të pengonte miratimin e marrëveshjeve të rëndësishme për qytetarët.
Përplasjet mes palëve dhe mungesa e një kompromisi politik e lënë të hapur mundësinë që Kosova të hyjë në një tjetër cikël zgjedhor, në një moment kur institucionet përballen me sfida të shumta dhe kërkojnë stabilitet.
Dhe pasi te kaloje nje vit do therresin axhen Vucic ta vene ne krye.