
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit të ri është shtyrë sërish, për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës. Seanca plenare pritet të vijojë në orën 19:00.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca do të rinisë në mbrëmje dhe u bëri thirrje edhe një herë deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në proces.
“Në këto rrethana, për shkak të mungesës së opozitës dhe në përpjekje që ajo të jetë e pranishme në seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, si për obligimet kushtetuese ashtu edhe për interesin publik, ju njoftoj se kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, u shpreh kryeparlamentarja.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi pritet të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra për këtë post: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Në raundin e parë të votimit morën pjesë 64 deputetë, ku Rushiti siguroi 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se po bëhen përpjekje maksimale për të siguruar zgjedhjen e Presidentit të ri, ndërsa theksoi se opozita duhet të jetë e pranishme në seancë, pasi e konsideron këtë një detyrim kushtetues.
I pyetur nëse do të mbështesë një kandidaturë të mundshme të Vjosa Osmanit, Kurti nuk dha një përgjigje konkrete.
“Jemi dukë bërë përpjekje maksimale, po e shohim a po vinë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të vinë dhe të marrin pjesë”, tha ai.
Lini një Përgjigje