
Duke iu referuar kritikave që janë dëgjuar për formatin e deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili për 14 vjet po zhvillohet me lehtësimin e BE-së, në Bruksel, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të jashtme e siguri, Kaja Kallas, ka thënë se ajo do të shikojë së bashku me të dërguarin e ri të posaçëm, Peter Sorensen, se si ta bëjnë këtë dialog funksional.
Kallas ka thënë se për të ardhmen e dialogut duhet parë edhe se si do të formohet qeveria e re në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit.
“Sapo kemi emëruar përfaqësuesin e posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen. Unë do të shoh me të në muajin mars për atë se si do të vazhdojmë me këtë. Është e qartë se normalizimi i raporteve është i nevojshëm për dyja vendet. Dhe nëse ato mendojnë se mund të lëvizin përpara në rrugëtimin evropian, atëherë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur. Ndërkohë dëgjojmë kritika rreth këtij formati. Prandaj unë vërtetë dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional.
E kam adresuar këtë edhe me ministrin e jashtëm të Serbisë. Dhe ai më ka thënë se është i gatshëm vërtetë të investojnë kohë në normalizimin. Dhe po ashtu natyrisht sapo kemi pasur zgjedhjet në Kosovë. Të shohim se si do të formohet qeveria e re dhe në cilën mënyrë do të ecim tutje”, ka thënë Kaja Kallas në bisedë me gazetarët nga 20 agjenci evropiane të lajmeve.
Lini një Përgjigje