TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Qershor 2023, 18:52

BE “kërcënon” Kurtin dhe Vuçiçin: Nëse vijoni përplasjet, do vendosim sanksione!

Shkruar nga Pamfleti
BE “kërcënon” Kurtin dhe Vuçiçin: Nëse
Josep Borrell

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka zhvilluar një takim me ministrat e Jashtëm të BE-së teksa kanë folur në lidhje me situatën e tensiuonuar mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për mediat pas takimit, Borrell ka deklaruar se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, janë të gatshme të marrin masa të mëtejshme ndaj Kosovës e Serbisë nëse nuk shihet progres në shtensionim të situatës.

Borrell është shprehur se në takimin e fundit të mbajtur në Bruksel i ka ofruar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, një udhërrëfyes se si të dilet nga kriza, edhe pse sipas tij fatkeqësisht nuk pati një rezultat të menjëhershëm.

“Shtetet anëtare kanë nënvizuar shqetësimin për tensionet në vazhdim në veri të Kosovës dhe kam cekur rëndësinë që palët të shtensionojnë situatën, e të bëhet në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të bërë më 3 qershor. Mirëpresim lirimin e tre policëve të Kosovës që janë mbajtur në Beograd. Shtetet anëtare do të marrin masa nëse duhet, për ta rritur levën e BE-së e për ta përkrahur dialogun për normalizim”, tha Borrell.

Përfaqësuesi i BE, ka insistuar se duhet mbajtur zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës, por me kusht që të marrin pjesë serbët e Kosovës në zgjedhje.

“Të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për t’i zbatuar obligimet nga dialogu. Shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa të mëtutjeshme nëse nuk shihet progres. Është thënë se nga shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së presim sjellje evropiane. Në ditët në vijim do të vazhdojmë kontaktin me dyja palët. Por, shtetet anëtare janë të gatshme të jenë aktive e të na përkrahin në punën tonë”, është shprehur Borrell.

Ai ka thënë gjithashtu se masat e shteteve anëtare do të jenë politike e financiare.

“Mund të konsiderojmë masat politikë për të limituar kontaktet politike, e masat financiare po ashtu. Duhet të jenë masa, u thash shteteve anëtare, që masat duhet të jenë proporcionale dhe të kthyeshme”, tha ai.

Më tej, Borrell ka shtuar se hapi i menjëhershëm është të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës.

“Jemi pajtuar se nuk mund të kemi kryetarë në zyre të mbrojtur përgjithmonë nga forcat e NATO-s, kryetar me tre për qind të votave. Nuk është një zgjedhje e qëndrueshme. Duhet të zëvendësohen ata nëpërmjet zgjedhjeve, zgjedhje të reja. Për këtë janë pajtuar dyja palët, por duhet pjesëmarrja e serbëve, përndryshe do të kemi situatë të njëjtë”, deklaroi ai.

be borrell kosove serbi

Lini një Përgjigje