Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me lirimin e tre policëve kosovarë, të cilët u rrëmbyen nga serbët më 14 qershor në veri të vendit.
Hardinaj tha se ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe familjet e policëve, por sipas tij kjo ngjarje nuk konsiderohet e mbyllur me kaq.
Hardinaj ka falenderuar SHBA-në për lirimin e tyre dhe sipas tij as Vuçiç e as Kurti nuk mund të shpëtojnë nga përgjegjësia, për rrëmbimin dhe paraburgimin e policëve për më shumë se 10 ditë.
“Lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre. As Presidenti i Serbisë e as Kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë. I gjithë falënderimi dhe mirënjohja ynë shkon për ta ShBA-në", ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Lini një Përgjigje