Tre policët patrollues kufitarë të cilët u rrëmbyen më 14 qershor nga forcat serbe, janë kthyer në Kosovë.
Ata kanë kaluar në pikëkalimin kufitar në Merdar.
Arrestimi nga Serbia i tre policëve Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi nxiti reagime të shumta në arenën ndërkombëtare që kërkuan lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte.
Policët u liruan paraditen e sotme dhe avokati i caktuar i tyre, Gradimir Nalliç tha se aktakuza kundër tyre është konfirmuar, por se ata do të mbrohen në liri.
Edhe presidentja Vjosa Osmani tha se lirimi i tre policëve nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia.
“3 policët e Kosovës janë liruar, por kjo nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant agresioni ndaj Kosovës dhe shkeljen e Marrëveshjes Teknike Ushtarake me NATO-n”, shkroi Osmani në Twitter, duke i falënderuar partnerët dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara.
Qeveria e Kosovës e quajti agresion të Serbisë prangosjen e policëve, që siç u tha, ishin rrëmbyer sa ishin në detyrë.
Edhe pse të lumtur me lirimin e tyre, Albin Kurti thotë se rrëmbimi dhunon të drejtat e njeriut dhe se agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi.
“Mund të konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Ndonëse jemi të gëzuar që ata do të mund të kthehen tek familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në dhunimin serioz të të drejtave të njeriut dhe duhet të dënohet. Agresioni serb duhet të mbahet përgjegjës”, shkroi Kurti.
Kujtojmë që ditën e sotme, Gjykata e Kralevës i ka komunikuar tre policëve aktakuzën dhe se ata mund të mbrohen në gjendje të lirë.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kishin kërkuar Serbisë që t’i lironte menjëherë policët. Për këtë u angazhua edhe Shqipëria, por edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Lini një Përgjigje