Tre policët që u rrëmbyen në veri janë liruar ditën e sotme shkruajnë mediat e Kosovës.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u rrëmbyen më 14 qershor brenda territorit të Kosovë.
Të njëjtit dolën sot sërish para Gjykatës së Kralevës në Serbi.
Tre policët janë vizituar nga familjarët e tyre të premten, derisa njërit prej tyre i janë siguruar edhe barnat.
Para disa ditësh, në një konferencë për media, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla, kanë shpalosur detaje për vizitën e ambasadorit Jetishi te tre policët kufitarë.
Kurti tha se policët i kanë rrëfyer Jetishit momentin e rrëmbimit nga njësitë serbe.
“Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë kur pyetën ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori ynë. Përshkrimi i policëve është i njëjtë. Janë tri rrëfime të ndara identike, të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit më 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie. Pra kanë qenë duke ngrënë drekë kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer.", tha Kurti.
Rrëmbimi i tre policëve kishte rritur edhe më shumë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Qeveria e Kosovës prej ditësh kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve duke thënë se ata janë rrëmbyer thellë brenda territorit të Kosovë dhe se Serbia ka kryer agresion ndaj vendit.
Lini një Përgjigje