Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, njëherit kryetar i Partisë Përparimtare Serbe, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Instagram”, ka propozuar një “plan me katër pika”, të cilat, sipas tij, do të kontribuonin në qetësimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.
“Duhet të ketë bisedime për arrestimet e paligjshme. Duhet të ketë bisedime për tërheqjen e njësive speciale. Duhet të ketë bisedime për themelimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë) Serbe dhe të flasim për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale”, thotë Vuçeviç.
“Për mendimin tim, këto janë katër pikat që duhet të jenë bazamenti i zgjidhjes së kësaj situate, nëse me të vërtetë duam të lëvizim në drejtimin e shtensionimit”, ka thënë ndër të tjera Vuçeviç, ndërsa ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për siç tha “rrezikim të sigurisë së Serbisë”.
Por edhe kryeministri Albin Kurti ka paraqitur një plan në përbërje prej gjithsej pesë pikave, të cilën ua ka prezantuar shteteve partnere të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.
Sundimi i ligjit në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, tërheqja e “milicisë fashiste” atje, kryerja e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, KFOR-i e EULEX-i, shpallja e zgjedhje lokale të parakohshme dhe rikthimi në dialog janë pikat e propozuara nga kryeministri Kurti.
Ndërkaq, qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-eskalim, por këto ende nuk janë përmbushur nga asnjëra palë.
Edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje lidhur me takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Lajçak deklaroi se de-përshkallëzimi i situatës, zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, dhe kthimi në Marrëveshjen e Ohrit, janë tri kërkesat e Bashkimit Evropian të cilat u janë prezantuar Kurtit, dhe Vuçiqit, me 22 qershor në Bruksel.
Pas këtij takimi, emisari i BE-së ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë vizitës në SHBA, ai tha se ka takuar zyrtarë të lartë amerikanë, dhe ua ka prezantuar të gjitha detajet e zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Nga SHBA-ja ka thënë se është kthyer menjëherë në Bruksel për të ndihmuar Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell në mbledhjen e takimeve të menaxhimit të krizës me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti.
Në fund theksoi se synimi i BE-së ishte gjetja e një rrugëdalje nga situata në veri të Kosovës, e cila siç thotë ai vazhdon të jetë shumë e tensionuar.
Lini një Përgjigje