Tre policët të cilët u rrëmbyen në Kosovë nga forcat serbe më 14 Qershor, do të dalin sot para gjykatës së Kralevë për t’u njohur me masën e sigurisë.
Seanca gjyqësore ndaj tre policëve do të nisë në orën 9. Rrëmbimi i tyre ka shkaktuar më shumë përplasje mes palëve, teksa Serbia i akuzon policët për trafik armësh.
Kujtojmë se më 16 Qershor atyre iu caktua masa e paraburgimit, por Gjykata e Kralevës nuk tregoi se sa është periudha e paraburgimit për zyrtarët policorë të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve duke thënë se ata janë rrëmbyer thellë brenda territorit të Kosovë dhe se Serbia ka kryer agresion ndaj vendit.
Ndërkohë sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.
Rasti me tre zyrtarët policorë ka përkeqësuar situatën në veriun e Kosovës, ku ka pasur rritje tensionesh që prej fundit të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.
I dërguari i amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u ka thënë të premten gazetarëve se e kanë ndjekur “rastin e arrestimit të tre policëve të Kosovës”.
“Janë dy skenarë, një se ata janë kidnapuar nga brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose ata pa dashje kanë kaluar kufirin ku kanë gjetur veten brenda territorit të Serbisë. Në çfarëdo rasti, është e qartë se këta policë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi dhe duhet të lirohen”, ka theksuar Escobar.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se vendi i tij bën thirrje “për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë, të arrestuar më 14 qershor”.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”.
Mbretëria e Bashkuar ka përsëritur thirrjet ndaj kryeministrit Kurti që kryetarët e katër komunave veriore të ushtrojnë detyrën nga objekte alternative dhe të largohet njësiti special i Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri. Gjithashtu, janë kërkuar zgjedhjet e reja dhe themelimi i Asociacionit.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës “që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të qetësuar situatën në kufi”.
“Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve kosovarë. Njerëzit në të dy vendet kanë nevojë për perspektiva që konflikti i ka frenuar për një kohë të gjatë”, ka shkruar Baerbok në Twitter.
Qeveria e Kosovës beson se autoritetet serbe, sipas saj, “i rrëmbyen” tre policët, për shkak të arrestimit të serbit Millun Millenkoviç nga Policia e Kosovës, më 13 qershor, nën dyshimet se ka organizuar dhunë kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në veri të Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare, që gjendet në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës. Më 13 qershor, policia e Kosovës, kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviç, si i dyshuar një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj. Fill pas tij forcat serbe arrestuan tre efektivët kosovarë Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi.
Lini një Përgjigje