TAGS-AT E JAVËS

Kosova13 Tetor 2025, 10:46

Albin Kurti shpall fitoren në zgjedhjet lokale, zbulon datën kur do të prezantojë kabinetin e ri në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
Albin Kurti shpall fitoren në zgjedhjet lokale, zbulon datën kur do
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë në një deklaratë për mediat lidhur me rezultatet e zgjedhjeve lokale të mbajtura një ditë më parë në Kosovë, të dielën e 12 tetorit.

Kurti ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale, njësoj si dy krerët e partive opozitare, të cilët e bënë këtë gjë mbrëmjen e kaluar.

“Në zgjedhjet e mbajtura dje, Vetëvendosja ka fituar pa balotazh në Podujevë, Kamenicë dhe Shtinë. Me votat e diasporës del që kemi fituar dhe pa balotazh edhe në Gjilan.

Ndërkohë jemi në balotazh në 12 komuna.”, tha Kurti.

Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje është ngritur në këto zgjedhje si forca kryesore politike e Kosovës.

“Jo vetëm që e ka ruajtur rritjen nga cikli tjetër zgjedhor por Lëvizja Vetëvendosje është ngritur si forca kryesore politike e Kosovës edhe në nivel lokal. Kjo është dhurata më e çmuar dhe urimi më i mirë që kemi marrë.

Nga sot ne i përvishemi punës për balotazhin, synimi ynë është iqartë, që kandidatët tanë të fitojnë edhe në këto komuna dhe të vazhdojë edhe lëvizja e mirë.”, tha Kurti.

Në një deklaratë për mediat, kreu i qeverisë kërkoi nga autoritetet që të hetojnë exit pollet për Mitrovicën, pasi sipas tij nuk ishte një gabim, por një sulm i organizuar.

“Ajo që ndodhi në 12 tetor për raportimet me Mitrovicën duhet hetuar, nuk është huqje, por ndërhyrje në proces. Exit pollet me 16 pikë gabime nga organizata të ndryshme, nuk janë një huqje. Ky është cënim i demokracisë. I ftoj organet e drejtësisë të merren me këtë çështje. Do të fitojmë në Prishtinë, në Mitrovicë, në Prizren, Gjakovë, Pejë, Kaçanik, Vushtri, Fushë Kosovë, Rahovec dhe Viti. VV i fitoi 3 komuna pa balotazh. PDK fitoi 3 komuna pa balotazh. LDK fitoi 2, AAK 1. Fokusi i  VV është qytetari edhe si banor komune. Na nevojitet të bëjmë një analizë të hollësishme të rezultatit zgjedhor. Vetëm pas kësaj do të bëjmë planet për rrugën përpara”, shtoi Kurti.

Në lidhje me qeverinë e re, Albin Kurti u shpreh se dita e fundit kur do të prezantohet kabineti i ri në Kuvend është 26 Tetori.

“Dita e fundit kur do të mbahet seanca ku do të prezantoj kabinetin është 26 tetori. Shumë shpejt, që këtë javë do të nisim komunikimin për qeverinë. Kosovës i duhet një mandat i ri i qeverisë tonë. Seanca mund të mbahet dhe më herët, por 26 tetori është afati i fundit”, deklaroi kryeministri.

Lini një Përgjigje