
Qytetarët në 38 komunat e Kosovës votuan më 12 tetor për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja komunale.
Votimet përgjithësisht u zhvilluan pa incidente që mund të ndikonin në proces.
Në bazë të numërimit të deritanishëm të votave, në 21 komuna qytetarët kanë zgjedhur që në raundin e parë drejtuesit vendorë, ndërkaq në 17 të tjera do të zhvillohet raundi i balotazhit.
Prishtina, kryeqendra e Kosovës, është në mesin e komunave që do të shkojë në balotazh, kur do të përballen LDK-ja dhe LVV-ja.
Në raundin e parë, LVV-ja dhe PDK-ja fituan në tre komuna, LDK-ja në dy, AAK-ja dhe Nisma kanë fituar nga një komunë, sikurse edhe Ramiz Lladrovci me listën e tij në Drenas.
Në balotazh do të shkojnë komunat e Mitrovicës së Jugut, Prishtinës, Vushtrrisë, Gjakovës, Gjilanit, Dragashit, Kaçanikut, Klinës, Fushë Kosovës, Obliqit, Rahovecit, Pejës, Prizrenit, Suharekës, Vitisë, Junikut, Kllokotit.
Komunat që arritën në raundin e parë të zgjedhin kryetarë shqiptarë janë Podujeva, Ferizaj, Skenderaj, Hani i Elezit, Istogu, Lipjani, Shtimja, Kamenica dhe Deçani.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, i ka fituar zgjedhjet në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Dalja në këto zgjedhje ka qenë 39 për qind.
KQZ-ja tha se pret që brenda javës të përmbyllë numërimin e të gjitha votave, për anëtarët e asambleve lokale, votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe me postë.

PDK pësoi goditjen më shokuese në Drenas ku Ramiz Lladrovci fitoi garën bindshëm duke marrë 52,31 për qind të votave. Kundërkandidati i tij nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari mori vetëm 37,31 për qind të votave, ndonëse Drenasi njihej si një bastion i kësaj partie.
Mitrovica shkoi në balotazh, ndonëse të gjitha sondazhet e vendosën kandidatin e PDK-së fitues me mbi 50 për qind. Diferenca mes PDK-së dhe LVV-së është vetëm 28 vota, përcjell “Bota sot”.
I pari u radhti, Arian Tahiri nga PDK me 15368 vota ose 47,89 për qind, ndërsa kandidati i LVV-së, Faton Peci mori 12340 vota ose 47,80 për qind.
Kjo pritet të jetë edhe një nga garat në interesante në balotazhin që do mbahet me 9 nëntor.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se beson që procesi i numërimit të votave për rundin e parë të zgjedhjeve lokale do të kryhet brenda javës. Në një konferencë për media, ai njoftoi se sot, nga ora 12:00, dhe në disa vende edhe në orën 16:00, qendrat komunale të numërimit do të nisin numërimin e votave për kuvendet komunale në 38 komuna.
Radoniqi tha se pret që ky proces të përmbyllet brenda “dy-tre ditësh” dhe më pas të vazhdohet me numërimin e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe nga diaspora.
“Besojmë fuqishëm që brenda kësaj jave do të përfundojë procesi i numërimit”, tha ai.
Sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtë vote kanë pasur 2.069.098 qytetarë.
Rreth 44.000 prej tyre kanë mundur të votojnë me postë nga jashtë vendit në periudhën 17 shtator-11 tetor.






Lini një Përgjigje