TAGS-AT E JAVËS

Kosova12 Tetor 2025, 22:25

LDK shpall fitoren në tre komuna, Abdixhiku: Kryesojmë në 12 të tjera

Shkruar nga Pamfleti

LDK shpall fitoren në tre komuna, Abdixhiku: Kryesojmë në 12

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dalë mbrëmjen e sotme në një konferencë për shtyp, pas përfundimit të votimeve dhe pjesës më të madhe të numërimit.

Teksa procesi i numërimit të votave ka nisur prej tre orësh në të gjitha komunat, Abdixhiku u shpreh se LDK ka fituar tre komuna në raundin e parë dhe është në garë për fitore potenciale në 12 të tjera.

"Kemi fituar, prijmë në 3 komuna dhe jemi në garë në 12 komuna. Shpallim fitore në raund të parë në Istog, Lipjan dhe në Junik. Gati për të fituar në raund të parë edhe në Pejë.

Në Prishtinë pas 12 vitesh LDK është parti e parë edhe me kandidat për kryetar dhe për Kuvend Komunal.

LDK prin edhe në komunat Viti, Obiliq, Dragash. LDK në balotazh është në Fushë Kosovë, Suharekë, Gjilan dhe në Rahovec.

Urojmë fituesin e garës kryesore, Përparim Ramën. Pas 12 vjetësh, në Prishtinë për herë të parë LDK është e para edhe për kryetar, edhe për kuvend komunal”, deklaroi Abdixhiku, duke përshëndetur rezultatin e kandidatit të partisë në kryeqytet.

Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të 48.88 për qind të votave të numëruara në Prishtinë, kandidati i LDK-së Përparim Rama ka fituar 34.21 për qind, ndërsa do të përballet në balotazh me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka marrë 33.21 për qind.

Rama falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen, duke u zotuar për një fushatë dinjitoze drejt raundit të dytë.

Rezultatet në komunat ku LDK ka shpallur fitoren:

Junik: Numërimi ka përfunduar dhe kandidati i LDK-së Ruzhdi Shehu ka fituar me 47.91 për qind të votave.
Istog: Me 76.67 për qind të votave të numëruara, Ilir Ferati i LDK-së ka siguruar një rezultat bindës me 59.40 për qind.
Lipjan: Rezultatet pritet të konfirmohen zyrtarisht, por LDK ka shpallur fitoren edhe në këtë komunë.

Lini një Përgjigje