
E gjithë kjo lojë apo skemë e kreut demokrat ka ngritur shumë pikëpyetje që nisin nga ajo që nuk dëshiron të ‘regjistrojë’ humbjen e rradhës elektorale deri te fakti se PD e ka pasur të vështirë të bindë figura të saj, qoftë edhe lokale, për të kandiduar në Bashkitë ku ka zgjedhje
Në 9 nëntor do të mbahen zgjedhjet në 5 nga 6 bashkitë, kryetarët e të cilëve kanë dorëzuar mandatet për shkak të kandidimit si deputetë, janë dorëhequr ose janë shkarkuar. Nëse nuk do të kishte një vendim të Gjykatës Kushtetuese që do të pezullonte dekretin e Presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Tiranë, atëherë pas rreth 1 muaji, edhe në Bashkinë më të madhe të vendit, qytetarët do të zgjidhnin kryebashkiakun e ri, pasuesin e Erion Veliajt, i cili prej 10 shkurtit 2025 ndodhet në arrest me burg pas kërkesës së SPAK.
Zgjedhjet më 9 nëntor do të mbahen në Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat, ndërsa për Tiranën do të pritet se çfarë do të ndodhë në seancën e 31 tetorit në Kushtetuese, e cila do të vendosë lidhur me ankimimin e kryebashkiakut të shkarkuar, Erion Veliaj. Ky i fundit ka goditur procesin e shkarkimit, që u dirigjua nga Kryeministri Edi Rama nga data 11 shtator deri në ditën kur Këshilli i Ministrave vendosi largimin e Veliajt nga zyra e Kryebashkiakut, pas propozimit të Këshillit Bashkiak, ku këshilltarë socialist dhe demokratë bashkuan votat, si rrallë herë.
Varësisht nga vendimi i Kushtetueses do të mësohet nëse Tirana do të shkojë në zgjedhje të pjesshme të parakohshme, apo Erion Veliaj do të mbetet kryebashkiak, pavarësisht se ndodhet në burg prej 8 muajsh.
Por ajo që tërheq vëmendjen është fakti se Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha në 4 nga 6 bashkitë ku janë shpallur vakancat ka mbështetur kandidatë të pavarur. Përveç Tiranës ku Berisha zgjodhi të mbështesë aktorin e humorit Florjan Binaj, që nëse do të mbahen zgjedhje do të garojë përballë Ogerta Manastirliut dhe Arlind Qorit, të njëjtën skemë kreu demokrat ka zgjedhur edhe në Bashkitë e Vlorës, Beratit, Cërrikut, madje edhe në Mat. Të gjithë kandidatët që mbështet janë të pavarur, të paktën të deklaruar si të tillë, me përjashtim të Tepelenës, ku kandidati i zyrtarizuar ka qenë pjesë e strukturave të PD-së.
Megjithëse nuk ndodh për herë të parë që një subjekt politik mbështet kandidatura të pavarura, ajo që tërheq vëmendjen këtë rradhë është fakti se kjo po ndodh në shumicë, pra në 5 nga 6 bashkitë ku janë shpallur vakanca, apo në 4 nga 5 njësitë ku në 9 nëntor do të mbahen zgjedhjet, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës.
E ndërsa për Tiranën u duk sikur kandidimi me një emër të pavarur ishte një imponim nga aleatët e PD-së apo parti opozitare që në 11 maj (zgjedhjet parlamentare) garuan jashtë koalicionit me demokratët, Berisha e përgjithësoi skemën duke i dhënë mbështetjen kandidatëve të vetëshpallur si të pavarur.
Në Vlorë vendosi të mbështesë kandidaturën e Dionis Sotas, i cili para se të zyrtarizohej nga PD, mori mbështetjen e Adriatik Lapaj të Shqipëria Bëhet. Një skemë e ngjashme si në rastin e Tiranës, ku Florian Binaj u mbështet fillimisht nga Lapaj dhe ishte Berisha që vulosi vendimin për kandidatin zyrtar.
Në Berat, Berisha mbështet kandidatin Pavlo Shkarpa, sërish i shpallur si i pavarur, edhe pse në 2019 synoi Bashkinë përmes Bindjes Demokratike, një parti që u krijua si pasojë e qejfmbetjeve apo përçarjeve në PD-në që drejtohej nga Lulzim Basha.
Në Cërrik është mbështetur mjeku Amarildo Hoxha, edhe ky si kandidat i pavarur, por në dallim nga Vlora, ai nuk ka mbështetjen e Shqipëria Bëhett ë Adriatik Lapaj, që ka zyrtarizuar një tjetër kandidat.
Për Bashkinë e Matit, Berisha ka mbështetur Eduart Brahlika, me profesionin avokat, i shpallur si i pavarur, duke kompletuar kështu ‘ekipin’ e të pavarurve që në 9 nëntor do të synojnë të drejtojnë Bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme.
E gjithë kjo lojë apo skemë e kreut demokrat ka ngritur shumë pikëpyetje që nisin nga ajo që nuk dëshiron të ‘regjistrojë’ humbjen e rradhës elektorale deri te fakti se PD e ka pasur të vështirë të bindë figura të saj, qoftë edhe lokale, për të kandiduar në Bashkitë ku ka zgjedhje. Kjo të paktën u pa në Tiranë, kur shumë nga emrat që shiheshin si kandidatë potencialë refuzuan të garojnë.
Dhe duket se ‘shpëtimi’ erdhi nga propozimi që në Tiranë opozita duhet të mbështesë një kandidaturë të pavarur, për të thithur sa më shumë vota. Duket se kjo ishte ajo që i interesonte më shumë Berishës në situatën kur nga brenda pati refuzime për të hyrë në garë. Ai i pa të ‘pavarurit’ si gomone shpëtimi. E para, në rast të humbjes, fatura do t’i jepet kandidatit por edhe Qeverisë që manipulon procesin dhe e dyta goditet idea që shpesh artikulohet për emra jopolitikë, që duhen mbështetur si një mekanizëm për të thithur votat e elektoratit gri dhe për të shtuar mundësinë e një fitoreje opozitare.
Në rast rezultati pozitiv s’ka nevojë për komente, pasi secili do të rrëmbejë ‘suksesin’, ashtu sikundër ndodh gjithmonë.
Të paktën nga zhvillimet e deritanishme, ajo që dihet është se 4 nga 5 kandidatët që mbështeten nga Berisha janë të ‘pavarur’, madje mund të regjistrohen si të tillë edhe në fletën e votimit, ndërsa PD dhe aleatët e saj mund të krenohen vetëm me Tepelenën, ku kandidati është pjesë e strukturave të partisë më të madhe opozitare. /Pamfleti/
MUNGESA E DINJITETIT DHE KAPJA E INSTITUCIONEVE. Aktori Florian Binaj, I ftuar në një program televiziv, theksoi se nuk e shihte Portokallinë, ndihej keq kur e shihte. Ai tha se mungesa e frymës krijuese është një nga arsyet kryesore për këtë zhgënjim, se programi ka humbur atë energji dhe inovacion që e karakterizonte dikur. “Po t’u shohësh sytë aktorëve, janë të gjithë të trishtuar. Kanë ngelur po te ato personazhe, nuk kanë entuziazëm për të bërë personazhe të reja. Tani ke 5-6 vite që ke po të njëjtat personazhe,” – theksoi Flor Binaj, duke e vënë në dukje mungesën e krijimtarisë në emision. SHËNIM: Ka të drejtë Flori. Por e gjitha është çështje sistemi dhe kapje e medias. Se themi psh, shyqyr pak dinjitet mqs Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin e Begajt për zgjedhjet. Por Begaj veproi ashtu se tashmë është ashiqare që Rama ka kapur gjithë pushtetet, dhe Begaj është president kukull, dhe nuk ka frikë nga ndëshkimi i ligjit, se e mbron pushteti të cilit i shërben. Po ta shikoni me kujdes në Portokalli kanë bërë skeçe për Lefter Kokën, Dakon, I.Metën, I.Beqajn, kur ishin në burg. Por asnjëhetë për Lali Erin. Për Lalin nuk guxuan atëherë dhe nuk guxojnë as tani. Pse? Ca thonë çështje imceneratorësh, ca thonë që Lali ishte koka e propagandës, ca thonë që Lali i kishte inat ta bënin personazh humori dhe ka zëra që thonë ai ishte hakmarrës. Që të kesh krijimtari nuk mjafton vetëm të jesh i zoti, duhet të jesh i lirë. Nëse nuk je i lirë, humb edhe atë dinjitetin krijues dhe profesional, dhe kthehesh nga artist në thjesht një rrogëtar hallexhi. Prandaj dinjiteti nuk do kërkuar thjesht te gjykata që të na shpëtojë nga "lajthitjet" e qeverisë apo presidencës. Dinjiteti fillon pikësëpari nga vetja. Përndryshe mungesa e dinjitetit lejon sistemin, pushtetin, të të kapë e të përdorë për interesa të veta. Rezultati? Pushtetit do i dukesh si një manekin duartrokitës dhe sehirxhi nevojtar i pashpresë, dhe në rastin e parë që s'do i duhesh më do të të flakë si leckë pa vlerë.