Kuvendi i Shqipërisë miratoi pas një seance maratonë prej 18 orësh projektligjin për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë.
75 deputetë të mazhorancës votuan pro, 1 abstenoi, ndërsa 15 votuan kundër.
“Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre. Procedurat dhe kriteret e testimit do të përcaktohen me akt nënligjor. Dispozitat e kësaj pike do të zbatohen brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit”, thuhet në pikën 3 të nenit 68.
Ministrja Elisa Spiropali nënvizoi se projektligji është i nevojshëm për të përmirësuar shërbimin e jashtme dhe kulturën e përfaqësimit të Shqipërisë.
“Kemi nevojë për një shërbim të jashtëm që është në lartësinë e ambicieve tona kombëtare. Ky projektligj është instrument për këtë fazë të re. Sigurisht nuk mund të pretendohet që i zgjidh të gjitha, por synohet të bëjë një reformë të thellë në shërbimin e jashtëm. Ai krijon Akademinë Diplomatike, vendos standarde më të larta diplomatike, forcon përfaqësimin ekonomik dhe kulturor, hap dyert për profesionistë dhe statusin e shërbimit diplomatik e familjeve të tyre. Mbi të gjitha, synon të ndryshojë kulturën e përfaqësimit të Shqipërisë në botë”, përmbylli Spiropali.
Po me votat e mazhorancës u miratua projektligji për qeverisjen elektronike dhe projektvendimi për miratimin e planit vjetor për zbatimin e programit të statistikave zyrtare.
Ndërkohë me votat e mazhorancës u rrëzuan disa projektligje të propozuara nga ana e opozitës. Bëhet fjalë për projektligjet për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, akcizat, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, tatimin e vlerës së shtuar, për statusin e minatorit dhe atë për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratike për ndotësit ushqimorë.
Në këtë seancë u zgjodhën anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Selami Xhepa, Holta Zaçaj, Jonida Prifti dhe Ervin Mete ndërsa votimi për Matilda Shehun u shty për në një seancë tjetër.
Lini një Përgjigje