
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur lidhur me rolin që pritet të ketë në PD ish-deputeti Ervin Salianji, i cili u lirua nga qelia pas më shumë se nëntë muajsh.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se Salianji do të ketë rolin e tij në PD, pasi do të jetë drejtues aktiv në parti.
“Ervin Salianji është një drejtues aktiv i PD dhe do jap kontributin e tij. Ai do të damkosë në të gjitha shkallët ndërkombëtare të gjyqësorit vendimin politik ndaj tij”, tha Berisha.
Kryedemokrati u shpreh gjithashtu se qëllimi i Edi Ramës ishte t’i këpuste karrierën politike Salianjit që ai të mos kandidonte më për në Parlament.
“Ervin Salianji është një drejtues aktiv i PD dhe do jap kontributin e tij. Ju garantoj se ai do të damkosë në të gjitha shkallët ndërkombëtare të gjyqësorit, sepse qëllimi i Edi Ramës ishte t’i këpuste karrierën politike që ai të mos kandidonte më për në Parlament sepse e kishte tmerr. Edi Rama dhe Fatmir Xhafa, dy bosë kryesorë të organizatës kriminale të narkoshtetit u plagosën rëndë nga denoncimet e Salianjit”, tha Berisha.
Më 26 shtator 2024, Gjykata e Apelit mori vendimin për dënimin me një vit burg të ish-deputetit demokrat për “kallëzim të rremë” për denoncimin që bëri ndaj Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafa.
Por sot, Gjykata e Fierit, pas rekomandimeve pozitive të IEVP Fier, Shërbimit të provës dhe qëndrimit pozitiv të Prokurorit, vendosi lirimin me kusht të Salianjit nga qelia.
Ervin Salianji pas daljes nga gjykata, foli shkurtimisht për mediat, i cili tha se: “Do të jem në konferencë në orën 17:00 në selinë e PD-së”. Më pas, i shoqëruar nga efektivët, iu drejtua furgonit të policisë.
Lini një Përgjigje