TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Korrik 2025, 12:10

Lirohet nga burgu ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji!  

Shkruar nga Pamfleti

Lirohet nga burgu ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji!  

Salianji u lirua me kusht pas përmbushjes së dy të tretave të dënimit...

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është liruar ditën e sotme nga burgu i Fierit, ku vuante dënimin për çështjen e njohur si “Babale”, pasi Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e tij për lirim me kusht.  

Salianji u lirua me kusht pas përmbushjes së dy të tretave të dënimit, siç e lejon ligji shqiptar. Kërkesa e tij për lirim të parakohshëm u depozitua në Gjykatën e Fierit më 29 maj 2025, dhe pas disa shtyrjeve për shkak të mungesës së dokumentacionit nga burgu i Fierit, gjykata aprovoi kërkesën e tij bazuar në raportin pozitiv të vlerësimit të sjelljes nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier.  

Vendimi për lirimin u finalizua pas dorëzimit të raportit të Shërbimit të Provës, të kërkuar deri më 8 korrik 2025. 
Sipas avokatit të tij, Ledio Braho, Salianji kishte sjellje shembullore gjatë vuajtjes së dënimit, çka mbështeti lirimin e tij me kusht tre muaj para afatit të plotë të dënimit.  

Në një prononcim të parë për mediat, teksa shoqërohej nga policët në furgonin e policisë, Salianji tha “Do jem në konferencë në orën 17:00 në PD”.

Kujtojmë se Salianji u dënua për veprën penale të “kallëzimit të rremë” në lidhje me një audio-përgjim të publikuar në vitin 2018, ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.  

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, më 18 dhjetor 2019, e shpalli fajtor për “kallëzim të rremë” dhe e dënoi me 1 vit burg. Salianji e ankimoi vendimin në Apel.  

Salianji u dënua fillimisht më 18 dhjetor 2019 nga Gjykata e Shkallës së Parë me 1 vit burg. Vendimi u konfirmua nga Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024, dhe ai u dorëzua në polici po atë ditë, duke nisur vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit më 27 shtator 2024.  

Gjykata e Lartë, më 15 tetor 2024, refuzoi kërkesën e tij për pezullim të dënimit, duke e detyruar të vuajë plotësisht dënimin, pavarësisht pretendimeve të Salianjit dhe opozitës se dënimi ishte politik dhe i orkestruar nga kryeministri Rama dhe ish-ministri Xhafaj.  
 

Lini një Përgjigje