
Meta tha se do të mbajë përgjegjësi për LSI deri në vitin 2017 kur dhe ai ka qenë kryetar, dhe jo për periudhën më pas kur partia u drejtua nga Vasili e Kryemadhi.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duket se ka filluar të trembet nga SPAK. Prej disa ditësh flitet se do ta ketë ai radhën pas Ahmetajt, ndërkohë që një ditë më parë shkallët e SPAK i ngjiti Petrit Vasili.
SPAK ka dyshime se janë shpenzuar mbi 700 mijë dollarë për lobime në SHBA dhe nuk janë deklaruar nga LSI. Prokurorët po kryejnë hetime dhe po pyesin dëshmitarë.
Pas një periudhe të gjatë “zhdukjeje”, Meta doli sot në një intervistë dhe sulmoi Prokurorinë e Posaçme. Meta u shpreh se SPAK është vegël e PS, ndërkohë që dukej i nervozuar.
“SPAK është produkt i një reformë në drejtësi të shkatërruar që në hapat e parë të zbatimit të saj nga Edi Rama. Ajo që unë e kam cilësuar Ramaformë. Kjo reflektohet se si u krijua SPAK apo Gjykata Kushtetuese. Ju e dini shumë mirë se si Rama e ka marrë kontrollin e SPAK. Ai e mori duke zgjedhur në mënyrë antikushtetuese Arta Markun Kryeprokurore, ndërsa Kushtetuta ishte e qartë se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 84 vota. Dihen emërimet e zonjës Marku për të krijuar KLP dhe në KLP emëroi anëtarët e SPAK. Ne e dimë se çfarë ndodhi me Gjykatën Kushtetuese. E dimë shumë mirë se si është ndërhyrë nga mazhoranca në ligje, ku sot një deputete e PS ka 4 familjarë në një Prokurori”, tha Meta në një studio.
Por ai konfirmoi atë që është folur gjithë këto ditë. U duk sikur kreu i PL shiti gruan e tij dhe Petrit Vasilin. Meta tha se do të mbajë përgjegjësi për LSI deri në vitin 2017, kur dhe ai ka qenë kryetar, dhe jo për periudhën më pas kur partia u drejtua nga Vasili e Kryemadhi.
“Ata që mendojnë se do të spostojnë përgjegjësinë e Ramës për këtë regjim autorial që ka vënë në Shqipëri, me këtë piramidë korrupsioni që ka krijuar, me përralla jo Meta, jo ky, jo ai, ta harrojnë. Sa i takon Metës dhe PL, të bëjnë çfarë të duan. Të çojë SPAK letra porosie jo në SHBA, por edhe në hënë. Ta ketë të qartë se Meta zbaton ligjet e Shqipërisë, zbaton ligjet e SHBA dhe çdo vendi. Shqipëria dhe SHBA kanë marrëveshje ekstradimi dhe mund të plotësojnë çdo kërkesë, por asgjë nuk ka të paligjshme në periudhën kur unë drejtoja LSI. Nuk e marr përisipër kur nuk kam qenë unë kryetar. Absolutisht asgjë. Këto janë lojëra e manipulime të karakterit mediatik”, tha Meta.
SHBA ka sjellë një dosje voluminoze në SPAK për lobimet e Metës dhe duket se kjo ka alarmuar kreun e PL, i cili duket se e ka pisk punën. /Pamfleti
Lini një Përgjigje