TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Korrik 2023, 14:21

Prapaskenat/ Amerikanët fundosin Ilir Metën, dosje voluminoze në SPAK për lobimet e LSI

Shkruar nga Pamfleti
Prapaskenat/ Amerikanët fundosin Ilir Metën, dosje voluminoze në
Meta-Vasili në inagurimin e Trump

Në SPAK ka mbërritur një dosje voluminoze me të gjithë kontratat, të dhënat e transaksioneve, shumat e parave që janë paguar dhe të gjitha detajet e kërkuara nga SPAK...

Amerikanët kanë fundosur Ilir Metën sa i takon aferës me lobimet në SHBA. Dje SPAK rihapi dosjen duke thirrur ish-nënkryetarin e kësaj force politike, Petrit Vasili. Ky i fundit udhëtoi bashkë me Ilir Metën në inaugurimin e Trump si president, por paratë e harxhuara për lobime nuk u deklaruan. Vasili doli i nervozuar dje nga SPAK, ndërkohë që do të merren në pyetje dhe ekonomistët e LSI.

Por arsyeja se përse u mor në pyetje tani Vasili është sepse SHBA ka sjellë dosjen e lobimit. Vitin që lamë pas, SPAK ju drejtua me një letër-porosi Departamentit të Drejtësisë në SHBA, ku kërkoi të gjitha kontratat e LSI me “McKeon Group”, sidomos sa i takon vitit 2017.

Mësohet se këto ditë, autoritet amerikane kanë kthyer përgjigje. Sipas burimeve, në SPAK ka mbërritur një dosje voluminoze me të gjithë kontratat, të dhënat e transaksioneve, shumat e parave që janë paguar dhe të gjitha detajet e kërkuara nga SPAK. Pas mbërritjes së dokumenteve dhe shqyrtimit të tyre, prokurori Sotir Kllapi ka marrë në pyetje protagonistët.

Sipas burimeve, me dosjen e lobimeve është bashkuar dhe ajo e ndërhyrjeve estetike. Edhe për këtë rast janë dërguar letër-porosi në disa shtete, por jo të gjitha kanë kthyer përgjigje. Mësohet se SPAK është në pritje dhe të një përgjigje nga Qipro, pasi nga aty dolën dhe paratë e mistershme që financuan lobimet e LSI.

Detajet e dosjes

Ilir Meta ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania “McKeon Group” për lobime në SHBA por nuk i ka deklaruar. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.

Kontrata e parë e lobimit është nënshkruar nga Iraklis Fidetzis në emër të LSI-së dhe Ilir Metës. Kontrata parashikonte sigurimin e një ftese për Ilir Metën si pjesëmarrës në inaugurimin e Donald Trump, organizimin e takimeve me ligjvënës dhe drejtues të tjerë të administratës amerikane në Uashington gjatë kësaj ceremonie dhe pas 20 janarit 2017, zhvillimi dhe promovimi i marrëdhënieve të mira me administratën e re të Donald Trump dhe Kongresin amerikan.

Në shkurt të 2017, pikërisht për ditën e Shën Valentinit, "McKeon Group", sipas dokumentacionit të dorëzuar te autoritetet amerikane njofton tërheqjen nga kontrata, që Fidetzis i jepte 15 mijë dollarë në muaj.

Pas kësaj tërheqjeje, “McKeon Group”, sipas dokumenteve të dorëzuara në Departamentin e Drejtësisë ka nënshkruar një tjetër kontratë të dytë lobuese, këtë herë me kompaninë “Dorelita Limited”. Kontrata është nënshkruar më 24 mars të 2017-s. Sipas kontratës, grupi ngarkohej që të lobonte për 6 muaj për llogari të kompanisë “Dorelita Limited” dhe individëve të lidhur me të.

Po kush janë individët e lidhur me të? Kompania “Dorelita Limited” rezulton e regjistruar në Qipro, njohur si parajsë fiskale. Drejtori ekzekutiv i saj është Iraklis Fidetzis, avokati që përfaqësoi Ilir Metën në kontratën e parë të anuluar.

Kontrata e dytë kishte afat gjashtëmujor dhe kompania “Dorelita Limited” janë paguar 50 mijë dollarë në muaj, ndërsa ka një klauzolë që përfshin edhe një pagesë për muajin shkurt, megjithëse marrëveshja mes palëve është nënshkruar më 24 mars, ndërsa gjysmën e parë të shkurtit, në fuqi ka qenë kontrata e parë e nënshkruar mes "McKeon" dhe LSI-së e Ilir Metës.

Përveç kësaj, kompanisë Dorelita i ngarkohen edhe shpenzimet e tjera të kompanisë lobuese, si udhëtimet, hotelet, drekat e darkat që organizohen me qëllim zbatimin e kontratës së nënshkruar. Në total, bashkë me këto kosto, kompania Dorelita ka paguar rreth 600 mijë dollarë për "McKeon Group".

Me t’u firmosur kontrata, "McKeon Group" ka nisur takimet e lobimit, zyrtarisht për Dorelitën, por jozyrtarisht ka dyshime të forta se lobimi është bërë për llogari të Ilir Metës. Nga 11 prilli deri më 28 prill, një ditë para se Ilir Meta të zgjidhej President, “McKeon Group” deklaron se ka realizuar të paktën 28 kontakte në Senat e Kongres. /Pamfleti

meta vasili spak

Lini një Përgjigje