TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Shkurt 2026, 10:41

“Territorialja” përplas PD e PS / Boçi: Për çfarë rregullore flisni, turp për ultimatumet që vendosni

Shkruar nga Pamfleti
“Territorialja” përplas PD e PS / Boçi: Për
Luçiano Boçi

Në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me debate seanca plenare, ku deputetë të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste janë përplasur lidhur me Komisionin e Reformës Territoriale, pas një propozimi që Arbjan Mazniku ka paraqitur në Parlament, përmes të cilit kërkon që të ndryshohet formula e vendimmarrjes.

Sipas socialistëve, opozita ka bojkotuar Komisionin e Posaçëm, ndërsa propozimi i Maznikut i jep zgjidhje ngërçit të krijuar sa i takon vendimmarrjes. Komisioni për Territorialen drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi, ndërsa vendimmarrja kalon me konsensusin mes pozitës dhe opozitës. Por me ndryshimin e propozuar nga socialistët rrëzohet kjo klauzolë, duke e kthyer vendimmarrjen dhe mbledhjet e komisionit në “dorën” e PS-së, pra shumicës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, deklaroi nga Kuvendi se reforma territoriale e ka “copëtuar Shqipërinë” dhe ka sjellë mungesë të theksuar shërbimesh për qytetarët, duke e cilësuar atë një dështim të plotë.

Sipas Boçit, vendi është lënë “bosh” dhe pa funksionim normal të administratës lokale, ndërsa e njëjta mazhorancë, sipas tij, po përpiqet ta rikthejë sërish të njëjtën reformë. “E bëtë copë Shqipërinë me reformën territoriale dhe sot nuk ka shërbime. E keni boshatisur vendin dhe tani jeni po ju që doni ta bëni prapë,” u shpreh deputeti demokrat.

Ai theksoi se Partia Demokratike do të paraqesë alternativën e saj për reformën territoriale dhe paralajmëroi se opozita do ta çojë këtë çështje edhe në shesh, përmes protestave. “Ne do të japim opsionin tonë. Ajo që keni bërë është turp mbi turp. Ky Parlament është i mbushur me turp,” deklaroi Boçi.

Ndërkohë ai e konsideroi të turpshme ultimatumin e mazhorancës drejtuar opozitës.

Nuk ka pasur marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve, është diskutuar, është dhënë ultimatum për mbledhjen nga komisioni për Reformën Territoriale.

Një mbledhje e komisionit, kur ka një kyetar, thirret përmes dakordësisë së kryesisë së komisionit. Kurse komisioni i posaçëm thirret me urdhrin e një bashkëkryetari. Nuk ka dakordësi, nuk ka konsultim, unë jam bashkëkryetari.

Kjo mbledhje është nul dhe mbledhjet e tjera nuk janë thirrur në konsulencë me kryesinë e komisionit, që përbëhet nga dy bashkëkryetarë. Ku është rregullorja e parlamentit, pazar është këtu? Kjo është e turpshme.

Më e turpshme është ultimatumi që u dha në Konferencën e Kryetarëve. i morët të gjitha, merrni edhe komisionet e përhershme, pse nuk i merrni? Vijnë këtu anëtarët e komisionit të posaçëm dhe firmosin ndryshimin e përbërjes së komisionit. Noterët tuaj jemi ne?", theksoi ai.

 

 

boci territoriale reforma

Lini një Përgjigje