
Seanca plenare e ditës sotme parashikon 14 pika në rendin e ditës, ku njëra prej tyre pritet të sjellë debat politik.
Ndryshimet e propozuara nga shumica për Komisionin e Posaçëm të Reformës Administrativo Territoriale pritet të nxisin debat politik.
Partia Socialiste kërkon të ndryshojë formulën e përfaqësimit në komision. Socialistët propozojnë 17 anëtarë, 9 nga PS dhe 8 nga opozita, në vend të ndarjes së barabartë që zbatohet aktualisht.
PS kërkon edhe ndryshim në drejtim. Socialistët propozojnë një kryetar nga mazhoranca dhe një nënkryetar nga opozita, në vend të dy bashkëkryetarëve.
Socialistët argumentojnë se ndryshimet sigurojnë vazhdimësinë e punës, pas mungesave të opozitës në mbledhje. Mazhoranca deklaroi se nuk tërhiqet nga propozimi pas mbledhjes së fundit ku opozita mungoi. Kuvendi pritet ta shqyrtojë dhe ta votojë kërkesën në këtë seancë.
Partia Demokratike deklaron se nuk mori pjesë për shkak të angazhimeve të tjera dhe jo për bojkot. Kryesia e PD vendosi një ditë më parë që deputetët të marrin pjesë në komisionet e posaçme të reformës territoriale dhe zgjedhore.
Demokratët ndryshuan qëndrim disa orë pasi socialistët njoftuan se do ta çojnë për miratim ndryshimin e përbërjes dhe drejtimit të komisionit. Arbjan Mazniku deklaroi se afatet lidhen me zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm dhe me procesin e negociatave.
Nëse Kuvendi e miraton propozimin, Arbjan Mazniku do të drejtojë komisionin, ndërsa Luçiano Boçi do të mbajë postin e nënkryetarit. Partia Demokratike paralajmëron se mund të ngrejë komisione paralele për propozimet e saj.
Shumica parlamentare ka votat për miratim, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës.
Rendi i ditës përfshin edhe ndryshime në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope” dhe në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Kuvendi do të zhvillojë interpelancë me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, me kërkesë të deputetit Tedi Blushi.
Deputetët do të shqyrtojnë projektligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe projektvendimin për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në kuadër të Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Axhenda përfshin edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit mes Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian për programin Interreg Europe 2021 2027.
Lini një Përgjigje