Nga skandalet globale te materialet filmike të sekuestruara nga SPAK, thelbi nuk është mëkati, por kontrolli i vendimmarrjes...
Publikimet nga dosja Epstein kanë tronditur botën jo për jetën private të VIP-ave, por për mekanizmin e shantazhit që u përdor për të ndikuar vendime politike dhe ekonomike. Një paralelizëm shqetësues shfaqet edhe në Shqipëri, ku hetimet e SPAK për AKSHI-n zbulojnë ekzistencën e materialeve filmike të përdorura për kushtëzimin e drejtuesve të lartë. Në këtë skemë, skandalet personale shërbejnë vetëm si mjet, ndërsa qëllimi real mbetet kontrolli i tenderëve, fondeve publike dhe pushtetit. Pyetja kyçe nuk është kush u filmua, por cilat vendime u morën nën shantazh dhe kush përfitoi prej tyre.
E gjithë bota është tronditur nga publikimi i fotove, videove dhe e-maileve të dosjes Epstein, ku personazhe të rëndësishme të globit shfaqen në momente relaksi në mjediset e ashtuquajturit “ishulli i mëkatit”.
Në të vërtetë, nga materialet e nxjerra deri tani, të paktën sa i përket videove apo fotove, kemi parë gjëra jo aq skandaloze sa ishte imagjinuar.
Të ashtuquajturat “darkat elegante”, ku VIP-at argëtohen në shoqëri të ëmbël dhe të galvanizuar nga alkooli apo lëndë të tjera mëkatare, janë një realitet i njohur, por i idealizuar nga publiku i gjerë. Pamjet thjesht e rrisin spektaklin edhe më shumë.
Një spektakël që tani po shfaq anën e tij të hidhur, duke sjellë largimin e disa dinjitarëve politikë dhe diskreditimin e disa VIP-ave të tjerë.
Megjithatë, për t’u kthyer te thelbi që dosja Epstein i dha arenës globale, vlen të shtrohet një pyetje: çfarë do të ndodhte nëse hapej një “dosje Epstein” shqiptare?
Një dosje që nuk ka të bëjë thjesht me faktin që politikanë dhe VIP-a shqiptarë argëtohen me vajza të reja në ambiente orgjiake të kohëve moderne. Kjo dihet dhe për këtë ka plot legjenda urbane dhe anekdota.
Thelbi i dosjes Epstein nuk është mëkati i personazheve, por filmimi i gjithë kësaj veprimtarie, me qëllim përdorimin e saj për shantazh. Që do të thotë se, pasi u ka dalë pija apo lënda, dinjitarët kanë marrë vendime dhe kanë firmosur urdhra në funksion të interesave të shantazhuesve.
Duke u kthyer te mjedisi shqiptar, dosja e njohur e SPAK për AKSHI-n ka në qendër të saj një konglomerat materialesh filmike, të regjistruara dhe të ruajtura në një apartament në Tiranën e Re, me vullnetin e atij që njihej si koordinatori i baronëve të krimit në Shqipëri, alias “Gysi i Durrësit”.
Ky person ka filmuar jo vetëm biseda dhe diskutime në studion e tij, por edhe momente relaksi nën shoqërinë e verërave shumë të shtrenjta dhe elementëve të tjerë, në situata që shkojnë përtej relaksit, deri në shthurje të plotë.
Për “Epsteinin shqiptar”, e gjithë kjo është kryer prej kohësh dhe jo së fundmi. Dhe sipas gjasave, këto materiale janë përdorur si mjet shantazhi ndaj drejtuesve të lartë në vend, duke kushtëzuar vendimet e tyre.
E përkthyer në realitetin shqiptar, kjo do të thotë marrje tenderësh dhe administrim i milionave të shtetit nga kupola kriminale.
Më e rëndësishme sesa skandalet erotike, seksuale apo çarërrëfimet e VIP-ave të filmuar nga “koordinatori”, janë pikërisht vendimet dhe tenderët që janë kushtëzuar prej tij ose prej rrjetit që ai përfaqësonte.
Pikërisht kjo duhet të hetojë SPAK, jo thjesht për të rrëzuar një pushtet të kushtëzuar nga krimi, por për të ndaluar instalimin ose negocimin e krimit për një pushtet të radhës.
Siç e pranoi edhe një ndihmës i Sali Berishës në një studio televizive, një pjesë e baronëve të nëntokës po ndërronin krahun e fushës politike./Pamfleti
Epsteini shqiptar është hapur. Byrekut i është hequr fleta e parë. Festa e Blendi Gonxhes në festën e Ministrisë. Një mesazh nga /X/ se i kemi të gjitha. Kush ka shantazhuar: kë ? Kush ka vepruar nën shantazh dhe është apo nuk është përfitues në një allishverish? Kush është dashi me këmborë?
Kishin se ku, me ke, me cfare, c'te benin derezinjte, ti linin gjerat tu kalonin neper shale?