Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ironizoi opozitën pas mbledhjes së grupit, duke thënë se çfarë thonë në darkë nuk e thonë në mëngjes.
Më tej, Balla i kërkoi opozitës që të ndajnë mendjen nëse do marrin apo jo pjesë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale.
PS ka paralajmëruar se nëse nuk marrin pjesë atëherë do të ndryshojnë formulën, duke marrë drejtimin dhe shumicën e komisionit.
Balla i la afat opozitës deri në darkë për të vendosur nëse do të marrin apo jo pjesë.
“Zonja dhe zotërinj të PD ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhjen e komisionit të posaçëm? Këtë e keni deri në darkë. në rast se na thoni që ne do të vijmë në mbledhjen e komisionit, jo kjo historia që i thashë unë kryetarit, por ai bashkëkryetari nuk më la mua…se unë kisha… po nuk erdhi…nuk bëhet dot mbledhja e komisionit me 8, sepse teta është gjysma e 16. Ju ka lënë luli pa shkollë, 8 e do edhe 1 që të bëhet 9 dhe të jetë një më shumë se gjysma. Ne po ju themi nëse ju vini nuk ka nevojë të ndryshojmë na e thoni këtë deri në darkë. Se ju jeni në mëngjes keni mend të tjera, në darke keni mend të tjera. Do presim deri në darkë që t’ju vijnë mende dhe kismet vendosim deri atëherë”, tha Balla.
Lini një Përgjigje