
Rama bëri një hap pas nga deklaratat e disa ditëve më parë dhe tha se ideja nuk ka të bëjë me krijimin e një shteti të ri, por ngritjen e urdhrit bektashi në rrafshin diplomatik, përtej kufijve të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama në një takim me përfaqësuesit e 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës, në Nju Jork ka sqaruar deklaratën e tij për krijimin e shtetit të bektashinjve.
Gjatë fjalës së tij, Rama bëri një hap pas nga deklaratat e disa ditëve më parë dhe tha se ideja nuk ka të bëjë me krijimin e një shteti të ri, por ngritjen e urdhrit bektashi në rrafshin diplomatik, përtej kufijve të Shqipërisë.
"Si do t’i garantojmë vazhdimësinë e mbi të gjitha çfarë do të thotë që të krijohet një entitet sovran? Do të thotë që statusi i këtij Urdhri të ngrihet në një nivel maksimal dhe të ketë një rrezatim përtej atij perimetri të pronës së vet sepse janë në pronën e tyre ata, aty është prona e tyre, i kanë pasur denbabaden, ua mori komunizmi siç ua mori të gjithëve dhe e kanë prapë ata. Ky është një status si një përfaqësi diplomatike. Çfarë do të ndodhë tani? Shtet islamik brenda një shteti islamik? Çfarë janë këto muhabete kështu?”, theksoi Rama
Ai sqaroi se fakti përse ndërmori këtë hap, ishte sepse komunitetet e tjera fetare i kanë tashmë qendrat e tyre në të gjithë botën, ndërsa Bektashinjtë e kanë qendrën e tyre në Shqipëri, e për këtë arsye shteti do t’i ndihmojë ata, pasi janë një pasuri kombëtare.
“Jam mësuar që kur them diçka të re, dëgjoj shumë çudira, por si këtë herë, asnjëherë. Gjëja që më ka habitur më shumë, është se çfarë familje e jashtëzakonshme ekziston për urdhin e Bektashinjve. Të lexojnë, të informohen, çfarë përfaqëson në historinë e kombit tonë, çfarë pasurie e madhe është për kombin tonë. Të më thuash shtet islamik, pjellë e imagjinatës, por jo me mua. Si pasuri historike dhe kulturore, janë edhe tre komunitete të tjera. Çfarë i bashkon këto të treja dhe i ndan? Janë 3 komunitete shumë të mëdha të shtrirë në të gjithë dynjanë. Është një komunitet që e ka kryeqendrën e vet botërore në Shqipëri. Është një urdhër që mbahet me mundime të mëdha dhe që e ka kapacitetin e rrezatimit shumë të ulët, se kaq fuqi ka. Kemi interes kombëtar që ta ruajmë këtë pasuri? Për pak dekada do të ketë njerëz të zakonshëm, por nuk do ketë sistem me të gjitha figurat”, tha ai.
Më tej Rama shtoi se diskutimet ishin të pritshme, por se shumica prej tyre ishin aludime të pabaza. Kreu i qeverisë tha se nuk bëhet fjalë për një shtet të ri dhe se urdhri bektashi do të bëhet komfort kushtetueses së Republikës së Shqipërisë.
“Natyrisht që është normale të ketë diskutime, është normale të ketë shqetësime etj, por ajo që është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht, por në rastin konkret është më shumë për të qarë sesa për të qeshur sepse flasim për një gjë shumë të rëndësishme, është që çfarë nuk fantazohet. Thonë që ky është një plan i Serbisë që të bëhet shteti këtu e pastaj të bëhet një shtet ortodoks në Kosovë. Çfarë idiotësie.
Ndërkohë që komunitetet fetare të tjera e kanë të gjithë sistemin e tyre, e kanë global, kanë qendrat e tyre. Si do bëhet kjo? Në çfarë forme do të ndodhë kjo? Kjo nuk është kështu që hajde se jemi ne disa njerëz e po bëjmë një shtet. Kjo është kështu siç po ju them unë, por që të kuptohet mirë biseda, unë do t’ju sugjeroja kujtdo ndër ju që është i interesuar dhe kujtdo tjetër që është i interesuar, të hapë librat e historisë së Urdhrit Bektashi, duke filluar nga Naim Frashëri.
Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ti e di shumë mirë dhe në bazë të Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare ne do të votojmë një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe konform ligjeve ndërkombëtare, pa asnjë diskutim, sepse kjo nuk është një gjë që e thashë unë dhe u bë. Kjo ka një proces, do të diskutohen gjërat, do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, unë besoj që do të triumfojë arsyeja”, përfundoi Rama.
Lini një Përgjigje