TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Dhjetor 2024, 10:38

SPAK 5 vite sukses, BE inkurajon Dumanin: Mos flini mbi dafina! Hidhni sytë nga e ardhmja

Shkruar nga Pamfleti
SPAK 5 vite sukses, BE inkurajon Dumanin: Mos flini mbi dafina! Hidhni sytë
Silvio Gonzato

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, ka vlerësuar punën e bërë nga Prokuroria e Posaçme në 5 vite që nga krijimi.

Sipas tij, SPAK është sinonim i suksesit në Shqipëri, duke theksuar besimin që qytetarët kanë në të.

“Festojmë sot një element të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi që bëri të mundur nisjen e negociatave.

Goditja e korrupsionit në nivele të larta, pikë kyçe në sistemin e integrimit.

SPAK sinonim i suksesit në Shqipëri, qytetarët besojnë që SPAK është institucioni më i besuar. Duhet të jeni krenar për atë që keni arritur por të mos flemë mbi dafina e të hedhim sytë nga e ardhmja”, tha ai.

Sot, më 19 Dhjetor, shënohet 5-vjetori i krijimit të SPAK dhe në një deklaratë për shtyp, kreu i SPAK Altin Dumani bëri një bilanc të kësaj periudhe pune duke theksuar se ky institucion ka sjellë ndëshkueshmërinë deri në nivelet më të larta të pushtetit.

“Në këtë periudhë 5 vjeçare SPAK ka regjistruar 1809 procedime penale për 2496 persona. Prej tyre, 1387 persona janë dërguar për gjykim. Ky rezultat është një tregues i qartë i angazhimit tonë për të çuar para drejtësisë dhe për të mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjin. Lidhur me korrupsionin sot numërojmë 1097 procedime penale dhe 1036 persona nën hetim. Nga këta 61 janë zyrtarë të nivelit shumë të lartë dhe 70% të tyre janë dërguar për gjykim. Sa i takon krimit të organizuar kemi regjistruar 494 procedime penale për 955 persona në hetim. Numri i personave të hetuar përbën 38.14% të totalit.

Në lidhje me veprën penale që ka të bëjë me terrorizmin, 50 procedime penale me 29 persona nën hetim. Kemi regjistruar 73 procedime penale ndaj 141 subjekteve. Sa i takon bashkëpunimit ndërkombëtar janë ngritur 42 skuadra të përbashkëta hetimore, nga të cilat 27 janë aktive. Gjithashtu, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën e Prokurorit Publik Europian, NSA britanike, në Kroaci, zyrat e prokurorëve të Italisë, Rumanisë, Spanjës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut etj. SPAK ka sekuestruar mbi 182 mln Euro asete të siguaruara në mënyrë të paligjshme”, deklaroi Dumani.

Ai shprehu mirënjohje ndaj “paraardhësit” të tij Arben Kraja, i cili sipas tij “mbajti peshën që shoqëroi krijimin e kësaj strukture”. Sipas Dumanit, janë hetuar zyrtarë të të gjitha niveleve që nga prokurorët e deri te politikanët e anëtarët e grupeve kriminale.

“Nuk ka të paprekshëm nëse ligjet shkelen”, theksoi ai, duke shtuar se “të rinjtë duhet të besojnë fort tek shteti i së drejtës”.

Kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion tha se shpesh ai dhe kolegët janë gjendur para fyerjeve e madje kërcënimeve.

“Ka pasur shpifje, fyerje apo kërcënime ndaj nesh e familjarëve tanë. Por e kemi kuptuar sa e vyer është të ushtrosh këtë detyrë, jemi betuar për t’i shërbyer vendit e drejtësisë shqiptare. Misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës, SPAK është më i fortë sepse është i pavarur.”

“Më shumë se kujtdo u detyrohemi brezave të ardhshëm, dua të falenderoj nga zemra të gjithë prokurorët, BKH, ekspertët, stafin, partnerët tanë të përhershëm SHBA-të dhe gjithë qytetarët shqiptarë. Një falenderim i veçantë shkon edhe për familjarët tanë, shoqërinë civile, mediat dhe në mënyrë të veçantë gazetarët në terren që ndjekin hap pas hapi veprimtarinë e SPAK. I uroj ditëlindjen SPAK, misioni ynë vazhdon!”, përfundoi Dumani.

silvio gonzato

Lini një Përgjigje