TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Dhjetor 2024, 10:25

5 vite SPAK, SHBA mbështet Dumanin: Zgjasni mandatin për prokurorët!

Shkruar nga Pamfleti

5 vite SPAK, SHBA mbështet Dumanin: Zgjasni mandatin për

Gjithashtu SHBA ka mbështetur kreun e SPAK, Altin Dumani i cili kërkoi rikandidimin në krye të Prokurorisë së Posaçme.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, feston sot 5 vjetorin në një aktivitet të organizuar ku të pranishëm janë kreu i SPAK, Altin Dumani, zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof dhe ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

Gjatë fjalës së tij në ceremoni, Kasanof uroi kryeprokurorin Dumani për shpalljen kampion i antikorrupsionit nga sekretari Blinken. Ai shtoi se ky çmim sipas tij nuk është vetëm për Dumanin dhe SPAK por për Shqipërinë.

Kasanof shtoi se u desh guxim i madh për të nisur këtë rrugëtim dhe për të ndërtuar një institucion nga hiçi.

“Faleminderit për mundësinë që t’iu bashkohem. Është nder dhe privilegj. Së pari, urime kryeprokurorit Dumani për shpalljen kampion i antikorrpusionit nga sekretari Blinken. Ishte ditë e madhe për Shqipërinë. Ky çmim nuk është vetëm për Dumanin, por për SPAK dhe Shqipërinë. Blinken vlerësoi punën e SPAK. Është moment emocionues, ju përgëzojmë nga Uashingtoni. U desh guxim i jashtëzakonshëm për të nisur këtë rrugëtim. Guxim për të ndërtuar një institucion nga hiçi, për të luftuar shumë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, theksoi ai.

Gjithashtu SHBA ka shprehur mbështetje ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani i cili kërkoi rikandidimin në krye të Prokurorisë së Posaçme. Kasanof tha gjatë fjalës së tij se prokurorët duhet të lejohen të aplikojnë pas përfundimit të mandatit aktual.

"Pavarësia e SPAK mbetet vendimtare. Partnerët e huaj kërkojnë ekspertizën e SPAK. Për t’u siguruar që SPAK-u do të vazhdojë pa ndërprerje luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të ardhmen, ne besojmë se prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual.

Dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare dhe rrezikon humbjen e profesionistëve më me përvojë e të njohurive të tyre institucionale", tha Kasanof.

Vizita e Kasanof nënvizon mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Reformën në Drejtësi.

Kasanof, i cili mori detyrën në korrik 2024 si pasardhës i Gabriel Escobar, mban një fjalim të veçantë në këtë aktivitet, duke përforcuar rolin e SHBA si një ndër ideatorët, financuesit dhe mbështetësit kryesorë të reformës.

Vizitën e parë në Tiranë, zyrtari i lartë amerikan, i cili është pasardhës i Gabriel Escobar, e zhvilloi në selinë e delegacionit të Bashkimit Europian ku zhvilloi për gati 60 minuta një takim kokë më kokë me ambasadorin e delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato.

Mbështetja e SHBA për reformën në drejtësi u shpreh qartë edhe nga e dërguara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, e cila theksoi se reforma ka vendosur standarde të reja dhe se populli shqiptar po sheh rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

spak shba dumani prokuroret mandat

Lini një Përgjigje