TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Dhjetor 2024, 19:42

SHBA alarmon sërish politikën, pasuesi i Escobar vjen në Tiranë për t’i dhënë mbështetje SPAK-ut

Shkruar nga Pamfleti

SHBA alarmon sërish politikën, pasuesi i Escobar vjen në

Vizita e tij në Shqipëri lidhet me pjesëmarrjen në një aktivitet për 5 vjetorin e SPAK...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po lënë pa gjumë politikën shqiptare. Berisha, Meta dhe shumë eksponentë në PS kanë ngritur krye ndaj drejtësisë, teksa janë “mbrehur” se me ardhjen e Trump do të marrin fund hallet. Por SHBA po u jep mesazhe të njëpasnjëshme se të korruptuarit e kanë vendin te 313-ta.

Mesazhi i parë u dha me dekorimin e Altin Dumanit. Më pas ishte e dërguara e SHBA, e cila i mbylli Sali Berishës të gjitha dyert e bashkëpunimit. Ndërkohë mësohet se një mesazh shumë i fortë do të jepet nesër. I dërguari i SHBA për Ballkanin, pra pasuesi i Gabriel Escobar, ka ardhur në Tiranë.

Alexandër Kasanof mbërriti në Tiranë pasditen e së mërkurës. Vizita e tij në Shqipëri lidhet me pjesëmarrjen e tij në një aktivitet për 5-vjetorin e SPAK, që mbahet të enjten në kryeqytet. Pas Dumanit, ai duket se do të mbajë një fjalë shumë të rëndësishme aty.

Ditën e sotme mësohet se Kasanof ka pasur një takim me ambasadorin e delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato.

Vizita e tij vjen në një moment kyç. SPAK po përballet me një presion të jashtëzakonshëm politik. Sali Berisha dhe Ilir Meta po e shantazhojnë me të gjitha mënyrat e mundshme. Madje kreu demokrat i nxori edhe foton e bashkëshortes Altin Dumanit.

Nga ana tjetër kemi mazhorancën, e cila hiqet si fanse e SPAK, por po punon nën rrogoz. Komisioni i Fatmir Xhafajt vijon punën dhe prej tij priten shumë surpriza. SPAK kërkon dy gjëra prej tij: të ndryshojë fasha e vlerës së korrupsionit që prokurorët të merren vetëm me zyrtarët e lartë, si dhe t'u jepet e drejta prokurorëve të kandidojnë për një tjetër mandat. Deri më tani Xhafaj ka heshtur mbi këtë kerkesë, teksa ka zëra se mund të ndërmerren nisma ligjore në kurriz të organit të akuzës.

Gjendur përballë kësaj situate, kanë hyrë në lojë amerikanët, të cilët duket se javët e fundit janë investuar fuqishëm në mbështetje të SPAK-ut.

 

Lini një Përgjigje