
Zyrtarëve u kemi dhënë një mesazh të qartë: se drejtësia nuk njeh anë dhe se nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen dhe cënohen...
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka bërë 5 vite që kur nisi punën në vitin 2019 dhe është kthyer në një nga institucionet kyçe të reformës në drejtësi.
Në këto 5 vite, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është themeli dhe fokusi kryesor i këtij institucioni.
Në mesazhin e sotëm, Dumani gjithashtu paralajmëroi të korruptuarit si në politikë edhe një çdo fushë tjetër, se sot askush nuk është i paprekëshm dhe se drejtësia nuk mban anë.
“Kemi arritur të hetojmë zyrtarë të të gjitha niveleve, duke u dhënë një mesazh të qartë se drejtësia nuk njeh anë dhe kah dhe se nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen dhe cënohen...
Kemi treguar se mund të përballet me kurajë, për t’i kthyer qytetarët shqiptarë te shteti i së drejtës dhe te forcimi i një prej parimeve kryesore të demokracisë: Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar përpara tij. Jemi krenar për kontributin tonë, sadopak që kemi dhënë, në lehtësimin e kësaj aspirate për qytetarët tanë. Dhe jemi të vendosur që të ruajmë standardin europian të zbatimit të ligjit.”, tha Dumani në fjalën e tij gjatë ceremonisë me rastin e 5-vjetorit të krijimit të SPAK.
Duke kujtuar fillimin e vështirë, Dumani përmendi në emër të gjithë prokurorët e SPAK, si dhe kujtoi fillimet e vështira.
Dimani tha se shpesh ai dhe kolegët janë gjendur para fyerjeve e madje kërcënimeve.
“Ka pasur shpifje, fyerje apo kërcënime ndaj nesh e familjarëve tanë. Por e kemi kuptuar sa e vyer është të ushtrosh këtë detyrë, jemi betuar për t’i shërbyer vendit e drejtësisë shqiptare. Misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës, SPAK është më i fortë sepse është i pavarur.
Më shumë se kujtdo u detyrohemi brezave të ardhshëm, dua të falenderoj nga zemra të gjithë prokurorët, BKH, ekspertët, stafin, partnerët tanë të përhershëm SHBA-të dhe gjithë qytetarët shqiptarë. Një falenderim i veçantë shkon edhe për familjarët tanë, shoqërinë civile, mediat dhe në mënyrë të veçantë gazetarët në terren që ndjekin hap pas hapi veprimtarinë e SPAK. I uroj ditëlindjen SPAK, misioni ynë vazhdon!”, përfundoi Dumani.
Sot në aktivitetin e organizuar ishte i pranishëm janë dhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.Vizita e Kasanof nënvizon mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Reformën në Drejtësi.
Në këto pesë vite, SPAK ka treguar angazhim të pandërprerë për të ndjekur penalisht bosët e krimit dhe figurat e larta të korruptuara, duke sjellë përpara drejtësisë emra të rëndësishëm jo vetëm nga bota e krimit, por edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë.
Sipas drejtuesit të tij, Altin Dumani, gjatë pesë viteve të fundit, SPAK ka regjistruar një sërë çështjesh penale, duke vepruar shpesh me nismën e vet, dhe ka arritur të sekuestrojë dhe konfiskojë asete me vlerë deri në 150 milionë euro. Dumani ka theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë një shtyllë kyçe e suksesit të këtij institucioni, si në luftën kundër korrupsionit ashtu edhe kundër krimit të organizuar.
Dumani ka propozuar disa përmirësime në kuadrin ligjor, përfshirë uljen e pragut të korrupsionit në 500 euro në Kodin Penal, për të rritur efikasitetin në ndjekjen e rasteve më të ndërlikuara. Ai gjithashtu ka sugjeruar mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.
Lini një Përgjigje