Pas Erion Veliajt dhe Belinda Bllukut, sot paradite u mor në pyetje Sekretari i Kryeministrisë Engjëll Agaçi. Por pas tij i ka ngjitur shkallët kryebashkiakja e Durrësit...
Prokuroria e Posaçme duket se po kthehet në “shtëpinë” e socialistëve. Ditët e fundit ka qenë i lartë numri i zyrtarëve që janë marrë në pyetje dhe duket se lista do të vijojë.
Pas Erion Veliajt dhe Belinda Bllukut, sot paradite u mor në pyetje Sekretari i Kryeministrisë Engjëll Agaçi. Por pas tij i ka ngjitur shkallët kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, e cila është marrë për rreth 2 orë në pyetje.
Edhe ajo si shumë socialistë ka vendosur të mbyllë gojën duke deklaruar se rasti është sekret hetimor dhe nuk mund të flasë. E vetmja gjë që tha ishte se u pyet për çështje që nuk kanë të bëjnë me detyrën e saj si kryebashkiake. "Më është kërkuar të ruaj sekretin hetimor", tha Sako.
Me gjasë edhe Sako është pyetur për aferën e inceneratorëve. Bashkia e Durrësit ka marrë vendim që mbetjet të vijnë në Tiranë.
Më herët Agaçi për mediat ai tha se u thirr për Inceneratorin e Tiranës ndërsa shtoi se të gjithë duhet të jenë në dispozicion të drejtësisë. “U thirrja si person në dijeni për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se ky nuk duhet të krijojë një lajm. Duhet të jemi në dispozicion të organeve të drejtësisë. Faleminderit!”, tha ai.
Aktualisht lidhur me inceneratorët janë në qeli ish-ministri, Lefter Koka dhe ish-deputeti, Alqi Bllako. Pak ditë më parë u thirr po ashtu kryebashkiaku Veliaj.
Ndërkohë absurdi është se bosët e inceneratorëve janë ende në arrati. Edhe pse janë dënuar me vendim nga gjykata, ata nuk dihet se nga bredhin me paratë e qytetarëve.
Lini një Përgjigje