Gjatë fjalës përmbyllëse të takimit të Grupit Parlamentar Socialist, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të presë më opozitën për të miratuar ligjet e nevojshme për avancimin dhe mbylljen e kapitujve me BE-në.
Ai tha se asnjëherë dhe për asnjë arsye PS-ja nuk do ta mbyllë derën e bashkëpunimit me opozitën dhe se ata janë të mirëpritur të ofrojnë mendimet e tyre kur të duan. Por sipas Ramës, opozita nuk është e interesuar që vendi të anëtarësohet në BE, pasi janë të zënë duke i nxjerrë namin e zi Shqipërisë nëpër Europë.
“Puna jonë nuk pret. Do të ishte qershia mbi tortë nëse të tjerët do të ishin të interesuar të bënin punën për vendin dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ata nuk janë të interesuar, por janë të angazhuar të përcjellin jashtë kufijve idenë se ky vend është një narkoshtet, ndërkohë që brenda janë të organizuar vetëm për të penguar.
Ne nuk do të presim për asnjë rast dhe për asnjë arsye askënd për të vijuar punën tonë. Kushdo që dëshiron të bashkëpunojë apo të ulet për dialog, është i mirëpritur. Për gjithçka tjetër, rrugët janë të ndara: ne përpara, ata prapa. Ajo që ata bëjnë është vetëm “lehja e qenit””, tha Rama.
Lini një Përgjigje