Ja sa shpenzuan deputetët dhe administrata për udhëtime brenda e jashtë vendit apo hotele...
Shpenzimet e administratës publike dhe deputetëve për vitin 2025 kapën nivele rekord, duke konsumuar mbi 3.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.
Sipas të dhënave nga “Open Data Albania”, vetëm për udhëtime brenda dhe jashtë vendit janë shpenzuar afro 2.8 miliardë lekë, ndërsa për hotele dhe akomodime të zyrtarëve janë paguar mbi 5 milionë lekë.
Ligji aktual u garanton administratës publike dhe deputetëve një seri përfitimesh financiare, që përfshijnë rimbursime të plota për çdo udhëtim zyrtar, brenda apo jashtë Shqipërisë, pagesa për fjetje në hotele, dieta ditore dhe shpenzime të tjera. Ky sistem i shpërblimeve është kthyer në një minierë ari për zyrtarët, duke i lejuar të udhëtojnë në komoditet të plotë, pa u shqetësuar për koston reale ndaj taksapaguesve.

Vetëm për udhëtime jashtë vendit, shifra arrin 845 milionë lekë, ndërsa për udhëtime të brendshme, një shumë edhe më e lartë: 1.95 miliardë lekë. Hotelet kushtuan rreth 5 milionë lekë, të cilat shkojnë për fjetjet e stafit qeveritar dhe parlamentar nëpër aktivitete, trajnime apo takime zyrtare.
Ndërkohë, 140 deputetët e Kuvendit përfituan gjatë 2025-ës mbi 7 milionë euro, ku 453 milionë lekë (rreth 4.6 milionë euro) ishin vetëm për pagat mujore. Muajt shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor shënuan shpenzimet më të larta për rrogat, sipas të dhënave të vetë Kuvendit.
Përveç pagave, deputetët përfituan edhe 241 milionë lekë të tjera, përfshirë komisionet parlamentare, telefonat, qiratë dhe shpërblimet për pjesëmarrje në aktivitete. Udhëtimet zënë vendin kryesor në këto shpenzime, me një peshë prej 24 për qind.
Ndërkohë që qeveria dhe parlamenti vijojnë të flasin për “kursime buxhetore” dhe “efikasitet të administratës”, faturat e udhëtimeve, dietave dhe shpërblimeve tregojnë një tjetër realitet; një klasë politike dhe burokratike që udhëton e përfiton, ndërsa qytetarët paguajnë. /Pamfleti
Te hetohete nga prokuroria
I hëngërt dheu te gjithë njeheresh hajdutët.