
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me deklaratën ndaj gazetarit greko-amerikan John Defterios në Samitin e zhvilluar në Abu Dhanbi, e cili mori vëmendjen e mediave dhe politikës greke.
Në reagimin e tij, Rama thekson se deklarata është nxjerrë jashtë kontekstit, duke theksuar se ishte në kuadër të shakasë.
Rama është shprehur i habitur ndaj reagimit të mediave në Athinë, teksa thekson se Greqia është një fqinj i pazëvendësueshëm për Shqipërinë.
Kryeminsitri, në përgjigje të reagimeve, ka deklarauar se nuk ka asnjë dyshim për prejardhjen e filozofëve të lashtë si Platoni dhe Aristoteli, duke shtuar se Greqia e Lashtë është shtrat i qytetërimit europian.
"Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi! Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh! Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë U kuptuam? Shpresoj po. Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit", shprehet Rama.
Deklarata e Ramës ndaj gazetarit greko-amerikan:
E gjitha filloi kur moderatori me origjinë greke John Defterios, gazetar i CNN, shqiptoi gabim emrat e Edi Ramës dhe Kryeministrit malazez Milojko Spajiç gjatë fjalimit të tyre.
Edi Rama e korrigjoi atë, duke e akuzuar se i shqiptoi emrat gabimisht sepse është grek.
Në vazhdim të diskutimit dhe ndërsa diskutonin për investimet në energji që po bëhen në Shqipëri, Edi Rama tha "le ta falënderojmë mentorin tonë Sultan Al Jaber" (Ministri i Energjisë i Emirateve të Bashkuara Arabe) dhe e pyeti Defteriosin nëse e njihte. Defteriosi nga ana e tij dhe për hir të humorit u përgjigj me një buzëqeshje "si mund të mos jetë i sigurt se kush është (Sulltani Al Jaber)", duke i ftuar të pranishmit të duartrokisnin.
Kryeministri Rama iu kthye: "Si grek, duhet ta kishe njohur. Kështu bën ti, gjithmonë i nënvlerëson njerëzit sepse mendon se ke monopol mbi filozofinë dhe je trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Platonit dhe Aristotelit" , për të shtuar menjëherë më pas: "Por ti nuk je".
Lini një Përgjigje