Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar socialist, i ka drejtuar një mesazh opozitës, të cilën e ka ftuar që të jetë bashkëpunuese për çështje të rëndësishme.
Në këtë kuadër, Balla tha se opozita nuk ka pse të humbasë kohë me revolucione apo me shtrimin e tapetit të humbjes së radhës.
“Në një nga të dielat mes 15 prillit dhe 15 majit të 2027-ës, Shqipëria do të mbajë zgjedhjet vendore. Presidenti do të dekretojë datën e zgjedhjeve.
Deri në të enjten e fundit të korrikut, duhet të kemi finalizuar komisionin e reformës zgjedhore.
Depolitizimi i administratës duhet të përfundojë, dhe është e nevojshme që rezultatet e zgjedhjeve të shpallen sa më shpejt”, tha Balla.
Në vijim ai theksoi se ambicia e mazhorancës socialiste përfshin një reformë thelbësore, që parashikon edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve nga 140 që është aktualisht në 121.
“Zgjedhjet vendore të 2027 do të zhvillohen sipas ndarjes së re territoriale. Fokus kryesor mbetet integrimi në BE, dhe komisioni duhet të punojë me intensitet. Dua të bëj të qartë se formula e bashkë-drejtimit të komisionit dhe komisionit të posaçëm është miratuar me dakordësi, dhe nuk do të presim as një minutë për të ecur përpara me këto reforma.
Nga e hëna, 19 janar, deri në të enjten e fundit të vitit 2026, duhet të fillojë dhe të përfundojë miratimi i ligjit organik për funksionimin e plotë të Kuvendit.
Nuk dua ofiqe për deputetët, por statuse për të kryer punën siç u ka hije. Kuvendi dhe komisionet e përhershme duhet të jenë instrument për qytetarët, për të kuptuar të vërtetat”, tha ai.
Lini një Përgjigje