Kreu demokrat, Sali Berisha, ka publikuar në një konferencë për mediat, pjesë nga dosja e SPAK, lidhur me çështjen e hakerimit të kompjuterave të prokurorëve të Prokurorisë Speciale, për të cilën janë çuar për gjykim Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni.
Sipas Berishës, këta kërkonin informacione për arrestimit e Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
“Me datën 12 shkurt 2025, ora 21.17, Arnold Rrokaj i dërgon Zambak Gjonit një foto që duket si faqe interneti nga e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK-ut.
Më pas ai i dërgon një SMS me përmbajtjen ‘ah mos e hapsha dot’. Më tej Arnold Rrokaj i dërgon sërish një sms Zambak Gjonit, ‘se do t’i shkruaj Rramës dhe hajt t’ua bëjmë robt’.
Pra, Arnold Rrokaj e kishte numrin e Ramës.
Dhe Arnold Rrokaj sapo të hapte faqen, do i dërgonte Ramës të dhënat e faqes, hajt t’u bëjmë këtë dhe atë.
Nga përmbajtja e këtij komunikimi, krijohet bindje e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK-ut, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së tyre tek persona të tretë.
Duke ia dërguar Ramës dokumentet, atij do ia dërgoj, thotë.
Në vijim, me datën 21 shkurt, pra 10 ditë më vonë, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi”, u shpreh Berisha, referuar dokumenteve në dosjen e SPAK.
Në vijim, kreu demokrat tha se Arnold Rrokaj raportonte direkt te Kryeministri Edi Rama.
“Ky përbën një nga krimet më të shëmtuara dhe më të rënda. Ky është implikim madhor i Edi Ramës dhe unë kërkoj dorëheqjen e tij urgjente. Kreu i organizatës kriminale të ekzekutivit shqiptar kërkonte të vidhte dokumentet sekrete të hetimit vetëm e vetëm që të mund të kontrollonte këtë proces në mënyrat e tij. E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal. Edhe njëherë kërkoj largimin e menjëhershëm nga detyra të kryeministrit. Sikundër u bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e ligjit dhe Kushtetutës në këtë vend sepse Edi Rama po kërkon t’i shkelmojë, t’i nënçmojë, t’i përdorë ato për qëllime krejtësisht kriminale të vetat”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje