TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Janar 2026, 12:40

“Pompoziteti” i mbledhjes së Grupit të PS, Rama leksion deputetëve: S’jemi si Franca, ligjet të miratohen pa debat

Shkruar nga Pamfleti
“Pompoziteti” i mbledhjes së Grupit të PS, Rama leksion
Edi Rama në mbledhjen e Grupit të PS

Kryeministri u ka mbajtur një leksion deputetëve mbi procesin e anëtarësimit në BE, duke kërkuar një angazhim më të madh në njohjen e procesit, dhe veçanërisht miratimit pa debat të ligjeve të konsultuara me Komisionin Europian…

Kryeministri Edi Rama drejtoi një mbledhje të Grupit Parlamentar socialist, që u mbajt në Pallatin e Brigadave, në masa të forta sigurie.

Mbledhja, e organizuar me pompozitet, rezultoi në një leksion disa minutësh që Kryeministri u mbajti deputetëve, që nuk nguroi as ti nxjerrë të paditur, në raport me procesin e anëtarësimit të BE-së, dhe kriteret që duhet të plotësojë Shqipëria.

“Akoma sot edhe brenda grupit tonë parlamentar, dhe lere më pastaj brenda partisë e në opinionin publik, nuk ka një kuptim të qartë për çfarë do thotë pikëpamja e sfidës dhe barrës së detyrimeve, përmbushja e kushteve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave dhe përmbushja pastaj e kushteve për të përballuar përfshirjen në një realitet të ri, një treg prej 450 milionë njerëzish, ku Shqipëria e integruar do të jetë një pikë uji në oqean. Sfida për sektorin prodhues dhe institucionet do të jetë e shumëfishtë”, tha Rama.

Veçanërisht Kryeministri u ndal në shpjegimin e asaj që e konsideroi si “faza e ndërmjetme” për të cilën tha se po negociohet për të fituar një kohë 5-vjeçare, në plotësimin e kritereve sa i takon sigurisë ushqimore, për të cilën tha se në kushtet aktuale, është e paintegrueshme.

Është një fazë e cila është aplikuar edhe më parë. Kroacia fitoi 10 vite kohë për përmbushjen e kritereve, pas anëtarësimit. Ne po kërkojmë 5 vite kohë përsa i takon kritereve të sigurisë ushqimore. Janë bërë hapa të mëdhenj përpara nëse i referohemi atyre thertoreve që ishin në rrugë, por kemi ende shumë për të bërë, në përmbushjen e kritereve të BE-së në këtë aspekt”, tha Rama.

Dhe në vijim të shpjegimeve, Kryeministri u shpreh se në momentin e anëtarësimit e më pas kur përfundon periudha e ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk do mund të shitet jashtë vendit, por që do të thotë që edhe në Shqipëri mund të bllokohen nëse nuk përmbushin kriteret.

Në skenarin më pesimist, do të thotë që gjithçka që hahet të importohet. Për këtë arsye duhet një super punë dhe një super vendosmëri nga ana jonë si vendimmarrës për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë. Do vendosen të gjithë në pozita të forta përgjegjshmëria dhe pune, se në rastin më të mirë janë vetëm 10 vjet përpara. Nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë”, tha Kreu i Qeverisë.

Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri ka kërkuar nga dy ministret, Majlinda Dhuka dhe Adea Pirdeni, përgjegjëse për negociatat me BE, që të shpjegojnë me detaje të gjithë procesin, të informojnë me detaje në lidhje me rrugën që Shqipëria ka në finalizimin e këtij objektivi, në mënyrë që ata të ndihmojnë me eksperiencën dhe profilizimet e caktuara të tyre.

Duhet shumë më tepër punë për t’u shpjeguar me grupin dhe për t’u dëgjuar, duhet shumë më tepër informacion i ndërsjelltë në mënyrë që të gjithë deputetët, të cilët mund të kontribuojnë në një proces draftim, të jenë të informuar. Është një format i domosdoshëm”, tha Rama.

Për Kryeministrin në procesin e anëtarësimit drejt BE-së mjaft me rëndësi është edhe miratimi i ligjeve në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.

Negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian, negociohet me komisionin, i imponohet qeverisë dhe vjen në Parlament. Kur vjen në parlament duhet miratuar, jo diskutuar, sepse t’i hyjmë diskutimit të një ligji të tillë duhet më parë të diskutojmë nëse duhet të hyjmë apo jo në BE.

Me të drejtë disa shokë e kolegë bëjnë gabimin që bëja dikur edhe unë. Arrin një draft që vjen nga qeveria pasi është dakordësuar me komisionin dhe nisin i referohen vendeve të tjera të BE.

Shiko se Franca nuk e ka kështu, as Gjermania apo Kroacia. Miqtë e mi, këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë e duke shpresuar që e dini që nuk jam lehtësisht i përthyeshëm ju ftoj të jeni të përthyeshëm në këtë pikë.

Që ta bëni si Franca duhet të jeni Franca, ne jemi Shqipëria.

Nuk kërkuam ne të jeni pjesë e jona, ju kërkuat dhe ne jemi të lumtur t’ju kemi pjesë tonën.

I gjithë procesi ka sjellë rëndim të kushteve për atë që ka ardhur më pas, ata që kanë hyrë në BE në fillim nga ish perandoria komuniste e lindjes e kishin procesin më të lehtë dhe janë bërë anëtarë me shumë më pak kushte”, tha ai.

Kryeministri nuk harroi të thotë se procesi i anëtarësimit në BE është vështirësuar. Në këtë kuadër ai tha se ata që kanë hyrë më parë në BE e kanë pasur më të lehtë procesin, pasi ka pasur më pak kushte.

Sot ka shumë më tepër kushte se më parë. Sot ne kemi kushte të tilla që as Kroacia nuk do t’i kishte marrë me mend në atë kohë”, tha Rama.

rama deputetet be anetaresimi

Lini një Përgjigje