Një deklaratë provokuese nga Kryeministri Edi Rama, sipas të cilit grekët nuk janë pasardhës të Aristotelit, ka shkaktuar reagime në Athinën zyrtare, por jo vetëm.
Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, është zyrtari i rradhës që ka reaguar ndaj Kryeministrit Edi Rama.
“Zoti Rama, për fat të keq, ka një problem serioz psikologjik me Greqinë. Ndoshta kur erdhi në Greqi si emigrant i paligjshëm si një piktor i varfër, kur regjimi i Hoxhës kishte rënë, dikush nuk e kishte trajtuar mirë.
Në këtë kuptim, ai ka mirëkuptimin tonë”, u shpreh ministri Georgiadis për median greke Newsbomb.
Në vijim ai shtoi “le t’ia lëmë historinë historianëve. Rama le të merret më shumë me historinë e Shqipërisë, që nga Skënderbeu, dhe le ta lërë të qetë Aristotelin dhe Aleksandrin e Madh”.
Rama reagoi ashpër ndaj një gazetari greko-amerikan, John Defterios, kur ai i shqiptoi gabim emrin.
“Nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon”, tha Rama, duke iu drejtuar Defterios. Më pas, gazetari u përpoq ta qetësonte atmosferën, duke iu referuar një investimi prej afërsisht 1 miliard në Shqipëri, megjithatë, Rama këmbënguli, duke thënë se “është mbi një miliard”.
“Ju i bëni llogaritë si grekët. Kur flet për paratë e tua, shton tre zero. Kur flet për paratë e të tjerëve, zbret tre zero. Kjo është ajo që bën. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian të do kaq shumë”, iu përgjigj Kryeministri.
Lini një Përgjigje